Rusia po përgatitet të nisë një ofensivë në rajonin e Kurskut me një forcë prej 50,000 ushtarësh, përfshirë trupat e Koresë së Veriut. Në një artikull të Neë York Times shkruhet se sipas zyrtarëve ukrainas, sulmi pritet të fillojë shumë shpejt.
Ukraina nisi ofensivën e befasishme në rajonin e Kurskut të Rusisë në gusht dhe po mban pozicionet e saj edhe pse forcat ruse kanë arritur të rimarrin rreth gjysmën e territorit. Rusia ka grumbulluar 50,000 trupa pa i tërhequr ushtarët e saj nga fronti lindor. Lindja e Ukrainës mbetet prioriteti për Rusinë dhe ajo ka bërë përfitime të dukshme në rajonin jugor të Donetskut dhe pranë Toretsk, Chasiv Yar dhe Kupiansk.
Edhe pse ka arritur të rimarrë pjesë të rajonit të Kurskut me sulme raketore dhe zjarr artilerie, Rusia nuk ka nisur ende një sulm të madh atje.
Ofensiva e re vjen pasi Rusia pati humbjet më të rënda muajin e kaluar dhe trupat e Koresë së Veriut mund të zëvendësojnë ushtarët rusë të plagosur dhe të vrarë, sipas disa ekspertëve. Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Admirali Anthony Radakin, pretendoi se Rusia humbi mesatarisht 1500 trupa çdo ditë në tetor.
Trupat e Koresë së Veriut, të cilët mbërritën në Rusi muajin e kaluar, ka të ngjarë të përfshihen drejtpërdrejt në operacionin e rajonit të Kurskut. Trupat janë ndarë në një njësi sulmi dhe një njësi mbështetëse. Ata do të luftojnë si këmbësoria e lehtë, duke i lënë ata të prekshëm ndaj sulmeve të artilerisë dhe dronëve ukrainas pa ndihmën e automjeteve të blinduara. Versus.al








