Një burrë i cili peshonte sa një fëmijë, u mbajt dy dekada i mbyllur në kyç dhe i kequshqyer nga njerka. Historia në kufinjtë e filmave horror ka ndodhur në Konektikat të SHBA- së dhe u zbulua kur burri që dyshohet se ishte mbajtur i burgosur nga njerka e tij për 20 vjet, arriti të arratisej duke i vënë flakën dhomës së vogël ku mbahej.
Autoritetet reaguan ndaj zjarrit dhe shpëtuan 32-vjeçarin që peshonte vetëm 30 kilogramë.
Një oficer policie deklaroi për mediat se nuk kishte parë kurrë një rast më të rëndë e më të abuzuar. djali veç ushqimit të pakët, duhej dhe të urinonte në shishe. Me kalimin e viteve, ai ka treguar se kyçet e dhomës së tij vetëm sa shtoheshin. Vitin e kaluar ai kishte humbur dhe të atin, i cili kishte qenë i paralizuar.
Ai pranoi se kishte ndezur zjarrin pasi kishte përjetuar vite të tëra “abuzim të vazhdueshëm, urie, neglizhencë të rëndë dhe trajtim çnjerëzor”, njoftoi policia e ëaterburyt, Connecticut.
Njerka e tij, e akuzuar për mbajtje në robëri dhe për urinë ekstreme të 32-vjeçarit, është akuzuar për rrëmbim dhe mizori. Ajo i ka mohuar akuzat, shkruajnë mediat.
Prokurorët pretendojnë se për vite me radhë ai merrte vetëm një sanduiç dhe dy shishe të vogla ujë në ditë. Atij i lejohej të dilte nga dhoma vetëm 30 minuta në ditë për të kryer ndonjë punë shtëpie nën mbikëqyrjen e njerkës.
Duke përdorur dezinfektues duarsh, letër dhe një çakmak, ai ndezi zjarrin me vetëdijen se mund të vdiste, tha prokurori në gjykatë të mërkurën.
Njerka e tij, Kimberly Sullivan (56), ishte në shtëpi në momentin e zjarrit, por nuk foli me autoritetet kur ato mbërritën. Avokati i saj tha se akuzat ishin të rreme.
“Ai nuk ishte i mbyllur në dhomë. Nuk ishte i ndaluar në asnjë mënyrë. Ajo i siguronte ushqim dhe strehim. Është e habitur nga këto akuza”, tha avokati i 56-vjeçares.
Kur u gjet 32 vjeçari që peshonte vetëm 30 kg, autoritetet thanë se ai kishte një indeks të masës trupore (BMI) prej 11. Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë thotë se një indeks i shëndetshëm është midis 18.5 dhe 24.9. Policia tha se gjatë robërisë, burri i paidentifikuar nuk kishte marrë prej vitesh kujdes mjekësor apo dentar.








