BOTA /

Orët e fundit të Pablo Escobarit dhe gabimi që u tregoi vendndodhjen agjentëve

Më 3 dhjetor 1993, trupi i pajetë i trafikantit më të madh të drogës në botë ndodhej në frigoriferin e një morgu, ndërsa në Kolumbi disa mbanin zi dhe të tjerë festonin.

Shkruar nga Versus
Orët e fundit të Pablo Escobarit dhe gabimi që u tregoi
Pablo Escobar

Po zbardhte 1 dhjetori dhe, në një shtëpi të zakonshme në lagjen Los Olivos në Bogota, Pablo Escobar kishte një gjumë të trazuar, që ndërpritej vazhdimisht pasi baroni i drogës zgjohej me të voglën lëvizje.

Nuk ishte më ai njeriu që kontrollonte tregtinë e kokainës në Kolumbi, ai që “bëri të bjerë borë” me pluhur të bardhë thuajse në gjithë botën, me moton “para ose plumba” sa herë donte të frikësonte dikë.

Tani nuk ishte gjë tjetër veçse një kafshë e ndjekur, që të gjithë donin ta vrisnin të parët: ish-bashkëpunëtorët e tij nga karteli i Cali, njësia speciale policore Search Bloc që e kërkonte pandalë dhe, sigurisht, DEA.

Agjenti special Steve Murphy, i cili së bashku me Javier Peña e kishin ndjekur prej vitesh “El Patrón”, ishte çdo ditë në dhomën speciale nga ku koordinoheshin njësitë lëvizëse të përgjimit të komunikimeve, duke kërkuar sinjalin e telefonit satelitor të Escobarit.

Ai e dinte se nuk do të vononte momenti kur do ta zbulonin njeriun që përmbyti Amerikën dhe jo vetëm, me kokainë; atë që ngriti një perandori me laboratorë të paligjshëm edhe në xhunglat tropikale të Kolumbisë.

Orët e tij ishin të numëruara.

Orët e fundit të Pablo Escobarit dhe gabimi që u tregoi
Foto e Pablo Escobar me gruan e tij, Maria Victoria

Los Olivos: Bastisja në strehën e El Patrón

Më 2 dhjetor, një ditë relativisht e ngrohtë dhe me lagështi, furgoni me ekipin lëvizës të përgjimit kishte filluar punën që në mëngjes, duke patrulluar rrugët e Bogotës.

Kur mbërritën në lagjen e mesme Los Olivos, gjithçka dukej normale, derisa policët që ishin me shërbim dëgjuan një zë të njohur.

Nuk vonuan shumë për t’u siguruar se ishte ai i Pablo Escobarit, i cili po merrte urime ditëlindjeje nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij, një ditë pasi kishte mbushur 44 vjet jetë plot ngjarje.

Një jete që kishte nisur në qytetin Rionegro mes varfërisë, vazhdoi në Medellín dhe përfundoi tek një trafikant droge, fama e të cilit doli përtej Kolumbisë dhe arriti deri në faqet e revistës Time.

Vetëm se hacienda gjigante “Napoles”, hipopotamët dhe elefantët e sjellë nga Afrika, festat ekstravagante me politikanë dhe bukuroshe të kurorëzuara, ishin tashmë pjesë e së kaluarës për ish-“bossin e bosëve”.

Më 2 dhjetor, njeriu që e ktheu kokainën në produktin nr. 1 të eksportit të Kolumbisë, duke ngritur një perandori të përgjakshme, ishte vetëm, në një shtëpi të zakonshme në Los Olivos, vetëm me një truprojë.

Kur teknikët në furgon “fiksuan” sinjalin dhe identifikuan banesën — sipas legjendës urbane, një prej tyre brenda furgonit pa Escobarin të qëndronte në dritare me telefonin në dorë — dërguan sinjalin dhe një ekip elitë i Search Bloc u nis për misionin.

Steve Murphy ishte i vendosur të mos e humbiste këtë mundësi, edhe pse e dinte që nuk mund të përfshihej aktivisht, pasi ishte shtetas i huaj.

Megjithatë, ai ndoqi ekipin e komandos së policisë, në një nga ato ditë që shënojnë përgjithmonë jetën e një njeriu që ka zgjedhur një mision të vetëm: të jepte maksimumin për kapjen e baronit më të rrezikshëm të drogës në botë, atij që kishte rrëmbyer figura të njohura të Kolumbisë për të detyruar qeverinë të anulonte marrëveshjen e ekstradimit me SHBA.

Murphy do të donte të ishte edhe Peña pranë tij, ai që kishte bërë gjithçka për të kapur Escobarin, duke ndjekur shprehjen “armiku i armikut tim është miku im”, gjë që i kushtoi edhe qëndrimin në Kolumbi.

Por atë të enjte, Pablo ndodhej më në fund në shtëpinë që kishin zbuluar ndjekësit e tij, së bashku me John Burgos, alias “Limón”, truprojën e tij të fundit.

Kur komando të policisë bllokuan rrugën, qetësia e çuditshme që përfshiu lagjen u ndërpre nga lehnimi i qenve. Escobar u ngrit i shqetësuar nga karrigia, pasi sapo kishte mbyllur telefonatën me gruan dhe djalin.

Faji i tij fatal ishte që qëndroi në telefon për shumë minuta dhe jo vetëm për dy apo tre, sa duhej që teknikët të mos arrinin ta përgjinin.

Sapo dëgjoi derën të thyhej, ai dhe “Limón” armatosën armët dhe nisën të zbresin shkallët për t’u mbrojtur.

Orët e fundit të Pablo Escobarit dhe gabimi që u tregoi
PaqbloEscobar i vrarë

Breshëri plumbash

Nr. 1 i personave të kërkuar në vend e kuptoi menjëherë se situata ishte shumë e rëndë, pasi komando të Search Bloc, bashkë me Murphy, hapën zjarr të dendur drejt tij.

Escobari, i mbipeshë, u tërhoq menjëherë lart së bashku me truprojën e tij, por “Limón” u plagos i pari nga plumbat.

Megjithatë, arriti të dalë në dritaren që të nxirrte në tarracë dhe ndoqi shefin e tij, i cili ishte zbathur.

Plani i tyre ishte të hidheshin nga çatia në çati derisa të arratiseshin në ndonjë rrugë të sigurt, por kjo nuk ndodhi kurrë.

“Limón” u shua nga breshëria e plumbave të njësisë speciale, e cila synonte kapjen e Escobarit, i cili përpiqej dëshpërimisht të arratisej.

Ai vraponte sa mundej, kur u godit nga plumbi i parë në këmbë dhe nga katër të tjerë në trup. U kthye dhe ra ndërsa qëllonte mbrapsht, ndërkohë që Murphy i vraponte pas si i tërbuar.

Para se të arrinte tek baroni i drogës, i cili ishte bërë obsesioni i tij, një plumb tjetër — me shumë gjasa nga një snajper në afërsi — e goditi Escobarin në kokë, duke e lënë të vdekur mbi tjegullat e çatisë.

Agjenti i DEA-s shikoi njeriun që “e mbuloi” botën me kokainë dhe e përgjakur vendin e tij, duke kërcënuar edhe presidentin Gaviria për t’i shpëtuar ekstradimit.

Pamja ishte tronditëse: xhinse, një bluzë që mezi i bënte dhe zbathur; një trup i pajetë i shpuar nga plumbat, ndërsa komando kolumbianë festonin mbi të, duke bërtitur e qeshur.

Murphy ngriti aparatin fotografik dhe dokumentoi momentin, madje pozoi edhe vetë pak më vonë i buzëqeshur, me kufomën e gjakosur të Escobarit në këmbët e tij.

Orët e fundit të Pablo Escobarit dhe gabimi që u tregoi
Agjentë duke u ekspozuar me trupin e vrarë të Pablo Escobar

Lajmi i vdekjes u përhap me shpejtësi në Bogota dhe Medellín, ndërsa nëna e trafikatit, që po shkonte ta takonte, e mori vesh brenda autobusit.

Ajo dëgjoi lajmin nga radioja e vogël që mbante në dorë një pasagjer afër saj.

Pamja e saj binte në kontrast të plotë me të tjerët në autobus, të cilët nisën të festonin e të përqafoheshin.

E vetme, Emilda Gaviria nisi të qante me lot të hidhur për djalin që adhuronte, atë që e puthte plot përkëdheli në kokë.

Pas festimeve, dhe sapo Murphy u qetësua, mori menjëherë në telefon njeriun që ishte me të në këtë mision për vite me radhë.

Javier Peña, sapo ngriti receptorin, dëgjoi nga kolegu fjalët që kishte pritur me vite: “Mbaroi, Javier.”

Pasi mbylli telefonin, Peña hyri në një bar, porositi një pije dhe pa në televizion pamjet e kufomës së njeriut që shpesh thoshte, kur ndihej i pathyeshëm:
“Ndonjëherë ndihem si Zot. Them se dikush duhet të vdesë, dhe pas pak ai është i vdekur.”

Në fund, nuk ishte./Versus.al

Poll