Papa Françesku do të dalë nesër nga spitali Gemelli. Profesor Sergio Alfieri, kreu i ekipit të mjekëve të Papa Françeskut në Spitalin Agostino Gemelli në Romë, njoftoi se të dielën Papa do kthehet në Vatikan. Këtë e njoftuan mjekët që trajtuan Papën në spitalin roman. Bergoglio është në ditën e 37-të të shtrimit në spital. “Ati i Shenjtë – shpjegoi ekipi mjekësor – nuk ishte kurrë i intubuar, ai ishte gjithmonë i vetëdishëm” edhe se gjatë javëve të fundit "kishte dy episode në të cilat jeta e tij ishte në rrezik.”
"Papa nuk kishte Covid", siguroi profesor Sergio Alfieri, duke nënvizuar se "ai kishte disa viruse polimikrobiale. Pneumonia dypalëshe nuk është më, është zgjidhur", por "virusi polimikrobial ka mbetur, prandaj duhen dy muaj rikuperim".
Pas daljes nga spitali, do të vijojë një periudhë dymujore pushimi për Papën, me mjekim të vazhdueshëm.
Papa do të kthehet në Casa Santa Marta (Shtëpia e Shën Martës) ku ai banon. “Ne fillojmë me një lajm të mirë, të cilin e gjithë bota e ka pritur. “Nesër Ati i Shenjtë kthehet në Santa Marta”, tha mjeku në fillim të konferencës.
Shëndeti i Papa Françeskut po përmirësohet dhe “shpresojmë që në një kohë të shkurtër ai të jetë në gjendje t'i rikthehet aktivitetit të tij normal”, tha mjeku Luigi Carbone.
Kur një pacient ka një infeksion të këtij lloji dhe ka qenë në një gjendje kaq të rëndë, progresi i mëtejshëm bëhet në shtëpi”, shtoi Prof. Sergio Alfieri, kreu i ekipit Gemelli, “Spitali është vendi më i keq për të vazhduar rikuperimin, sepse është vendi ku infeksionet mund të kapen më lehtë.







