Papa Françesku, papa i parë jo-evropian në gati 1,300 vjet, ka vdekur mëngjesin e sotëm në moshën 88 vjeçare. Lajmi i ardhur nga Vatikani ishte tronditës për shumë njerëz, për shkak se ndarja nga jeta e Papës ndodhi një ditë pasi të dielës së Pashkëve kur ai doli para besimtarëve për të uruar festën më të rëndësishme në kalendarin katolik.
Françesku dha bekimin tradicional të Pashkëve nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, në atë që shënoi paraqitjen e tij më të mirë që prej daljes nga spitali.
Pak para kësaj, ai zhvilloi një takim të shkurtër me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance.
Vdekja e Françeskut, i cili ishte një nga papët më të vjetër në historinë e kishës, erdhi disa javë pasi ai u largua nga një spital i Romës ku nga 14 shkurti deri më 23 mars ishte i shtruar duke u trajtuar për pneumoni të dyfishtë në mushkëri.
Ekipi i tij mjekësor tha se gjendja e tij ishte stabilizuar, duke i lejuar atij të vazhdonte rikuperimin në rezidencën e tij Casa Santa Marta në Vatikan. Kur dukej se po shkonte drejt rikuperimit, erdhi lajmi i trishtë për ndarjen e tij nga jeta.
Ishte kardinali irlandez Kevin Farell ai që dha njoftimin rreth orës 07:35. Papa Françesku i 266 i Kishës Katolike Romake, u zgjodh si i tillë më 13 mars të vitit 2013. Ai zhvilloi një vizitë në Shqipëri më 21 shtator të vitit 2014, madje emëroi edhe kardinalin e parë shqiptar në histori Ernes Troshani. Versus.al








