Pas tarifave të Trump-it dhe reagimeve ndërkombëtare, si dhe “stuhisë” në bursa nga Azia në... vetë Nju Jorkun, duket se pazari i madh i SHBA-së po fillon me ata që preken drejtpërdrejt, siç është BE-ja.
Në deklaratat e sotme pas një bisede telefonike me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE po përgatitet të mbrojë interesat e saj me kundërmasa proporcionale ndaj tarifave të Trump dhe do të punojë me partnerët e saj në këtë drejtim.
Kryetarja e Komisionit shprehu shqetësimin e saj të thellë për tarifat dhe dëmin ekonomik që ato u shkaktojnë të gjitha vendeve – përfshirë edhe më të varfërit prej tyre.
Duke pranuar se tarifat përfaqësojnë një pikë kthese të madhe për Shtetet e Bashkuara, ajo përsëriti angazhimin e BE-së për t'u përfshirë në negociatat me SHBA-në, duke bërë të qartë se Bashkimi është i gatshëm të mbrojë interesat e tij nëse është e nevojshme.
Në të njëjtën kohë, ajo shprehu vendosmërinë e saj për të punuar me partnerët për t'iu përgjigjur këtij realiteti të ri për ekonominë globale, duke pranuar se çdo partner tregtar do të veprojë sipas prioriteteve të veta.
Von der Leyen dhe Starmer diskutuan përgatitjet për samitin e ardhshëm BE-MB më 19 maj, i cili do të jetë një mundësi e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin e "27" me Mbretërinë e Bashkuar në fusha kyçe, si siguria, mbrojtja, tregtia dhe ekonomia.
"Më shumë se 50 vende kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të nisur negociatat tregtare"
Në një zhvillim paralel, më shumë se 50 vende kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të nisur negociatat tregtare, siç tha sot për ABC News Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të SHBA. Hassett mohoi gjithashtu se tarifat e Presidentit Trump janë një mënyrë indirekte për të bërë presion ndaj Rezervës Federale të SHBA për të ulur normat e interesit.
Në një intervistë tjetër me NBC News, Sekretari amerikan i Thesarit Scott Besant minimizoi rënien e çmimeve të aksioneve që nga shpallja e tarifave nga Trump, duke thënë se nuk kishte "asnjë arsye" që tarifat të shkaktonin kushte recesioni.








