Disa shpërthime të fuqishme janë dëgjuar pasditen e sotme mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, duke ngritur alarmin për një zhvillim të ri të rrezikshëm në përshkallëzimin e konfliktit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lajmi është raportuar nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.
Ngjarja ndodh vetëm pak orë pasi SHBA ndërmorën një aksion ushtarak kundër objekteve bërthamore iraniane, duke goditur centralet në Fordow, Natanz dhe Isfahan. Këto sulme provokuan një reagim të ashpër nga autoritetet iraniane, të cilat paralajmëruan hakmarrje të ashpër dhe pasoja “të përjetshme”.
Sipas burimeve të para, sulmi i Iranit dyshohet se ka pasur në shënjestër bazat ushtarake amerikane në Katar, konkretisht bazën Al Ubeid, e cila është një nga bazat më të mëdha në rajon dhe strehon mbi 10,000 trupa amerikane si dhe rreth 100 avionë bombardues.
Ky incident përbën një përshkallëzim të ndjeshëm të konfliktit, duke përfshirë tashmë drejtpërdrejt edhe Katarin, një vend aleat i SHBA-ve në Lindjen e Mesme dhe me rëndësi strategjike për operacionet ushtarake amerikane në rajon.
Zyrtarë ndërkombëtarë kanë ngritur shqetësimin për një përhapje të mundshme të konfliktit në nivel rajonal, ndërsa nuk ka ende informacion zyrtar nga Pentagoni apo qeveria e Katarit lidhur me dëmet apo viktimat e mundshme të këtij sulmi. /Versus.al







