Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ka sugjeruar që NATO të shqyrtojë vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainën.
Propozimi i Sikorskit vjen pas incidentit të javës së kaluar kur dronët rusë hynë në hapësirën ajrore polake dhe atë rumune. Dronët, të cilët ishin të paarmatosur, u rrëzuan nga avionët luftarakë dhe sistemet kundërajrore të NATO-s.
Në një intervistë me gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine, Sikorski theksoi se vendosja e një zone të tillë nuk mund të jetë një vendim i njëanshëm nga Polonia: “Si NATO dhe BE ne mund ta arrijmë këtë, por nuk është diçka që Polonia mund ta vendosë vetë; kjo mund të bëhet vetëm së bashku me aleatët tanë.”
Ministri i Jashtëm polak shpjegoi se mbrojtja e qytetarëve nga kërcënimet, të tilla si mbeturinat që bien, do të ishte më e madhe nëse do të kishte mundësinë e kapjes së dronëve dhe objekteve të tjera fluturuese para se të hynin në hapësirën ajrore kombëtare. “Nëse Ukraina na kërkonte t’i rrëzonim mbi territorin e saj, kjo do të ishte një avantazh për ne. Nëse më pyet mua personalisht, duhet ta shqyrtojmë”, theksoi ai.
Diskutimi për një zonë ndalim-fluturimi u ngrit në vitin 2022, pas fillimit të pushtimit rus, me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që shtyu për miratimin e saj. Megjithatë, aleatët e NATO-s e refuzuan atë nga frika e përballjes së drejtpërdrejtë me Rusinë. Propozimi aktual i Sikorsky duket se kufizohet ekskluzivisht në trajtimin e dronëve rusë që i afrohen kufijve të Ukrainës me shtetet e NATO-s.
Sipas Ministrisë së Brendshme Polake, një total prej 16 dronësh u zbuluan në pjesë të ndryshme të vendit gjatë incidentit të mërkurën e kaluar. Avionët luftarakë polakë dhe holandezë i kapën ato me ndihmën e forcave italiane, gjermane dhe shumëkombëshe të NATO-s. "Forcat tona ajrore e zmbrapsën kërcënimin për shtatë orë", tha Sikorski , duke vënë në dukje se pala ruse dha dy shpjegime të ndryshme: se dronët kaluan kufirin gabimisht dhe se ata as nuk kanë aftësinë të arrijnë aq larg.
Nga ana e saj, Moska pretendoi se sulmi kishte në shënjestër vetëm territorin ukrainas, duke argumentuar se "asnjë objektiv në territorin polak nuk ishte planifikuar për shkatërrim" dhe se dronët e përdorur kanë një rreze veprimi deri në 700 kilometra.







