Hamasi dhe dy organizata të tjera palestineze, Xhihadi Islamik dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, thanë sot se një marrëveshje armëpushimi është "më afër se kurrë" për Rripin e Gazës, ku lufta me Izraelin po vijon për më shumë se një vit. "Mundësia e një marrëveshjeje (mbi një armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve) është më afër se kurrë për sa kohë që armiku ndalon së vendosuri kushte të reja," thanë të tre organizatat në një deklaratë të përbashkët, pasi përfaqësuesit e tyre u takuan në Kajro të premten mbrëma.
Ata nënvizuan "angazhimin e të gjithëve për t'i dhënë fund luftës" në Gaza, të shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në tokën izraelite më 7 tetor 2023.
Bisedimet indirekte të javës së kaluar në Katar midis Izraelit dhe Hamasit, me Dohën dhe Egjiptin si ndërmjetësues, ringjallën shpresat për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në Gaza.
Një zyrtar i Hamasit i tha AFP sot se bisedimet kishin bërë "përparim të rëndësishëm" ditët e fundit.
"Shumica e pikave në lidhje me armëpushimin dhe shkëmbimin e të burgosurve janë objekt marrëveshjeje," tha ai në kushte anonimiteti.
“Pika të tjera mbeten për t'u diskutuar, por ato nuk e vënë në dyshim procesin. Marrëveshja mund të finalizohet para fundit të vitit nëse kryeministri (izraelit) Benjamin Netanyahu nuk vendos kushte të reja", shtoi ai, duke sqaruar se çdo marrëveshje do të zbatohej gradualisht.








