BOTA /

Pse aleatët e NATO-s po distancohen nga lufta e SHBA-së në Iran (me përjashtim të Shqipërisë dhe Holandës)

Në mbledhjen e Aleancës së djeshme në Bruksel, përfaqësuesi amerikan Scott Oudkirk kërkoi mbështetjen e partnerëve. Turqia dhe Spanja u shprehën qartësisht kundër, ndonëse për arsye të ndryshme. Të gjitha vendet e tjera nuk u ekspozuan me një qëndrim të hapur. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë të gatshme të mbrojnë vetëm interesat e tyre në Gjirin Persik.

Shkruar nga Versus

Pse aleatët e NATO-s po distancohen nga lufta e SHBA-së në Iran

Giuseppe Sarcina-Corriere della Sera

Për disa orë, qeveria turke u kap plotësisht në befasi. Askush në Ankara nuk e priste që Turqia të përfshihej mes objektivave të përgjigjes iraniane ndaj sulmit amerikan-izraelit. Më vonë gjatë ditës së sotme, e mërkurë 4 mars, shërbimet sekrete turke përcaktuan se raketa, e interceptuar dhe e rrëzuar në hapësirën ajrore kombëtare, në fakt ishte drejtuar drejt Qipros.

Habia e turqve është e lehtë për t’u shpjeguar. Dje, të martën 3 mars, në Bruksel u mblodh Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi që përfshin ambasadorët ose përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare të Aleancës. Turqia dhe Spanja ishin të vetmet dy shtete që u distancuan qartë nga sulmi i ndërmarrë nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu. Spanja, e drejtuar nga Pedro Sanchez, theksoi shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Turqia, nën presidencën e Recep Tayyip Erdogan, vuri në dukje se është vendi më i ekspozuar ndaj zgjerimit të konfliktit.

Në anën tjetër të spektrit politik u dalluan Holanda dhe Shqipëria, të vetmet që mbështetën pa rezerva Uashingtonin dhe Tel Avivin.

Pjesa më e madhe e vendeve, përfshirë Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Italinë, mbajtën një linjë të ndërmjetme. Ato nuk dënuan drejtpërdrejt sulmet amerikane, por kritikuan hakmarrjen e pakontrolluar të Iranit. Mbi të gjitha, ky grup mbështeti deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm, Mark Rutte, se NATO nuk do të përfshihet në përplasjen në Lindjen e Mesme. Megjithatë, Franca dhe Britania deklaruan se janë të gatshme të mbrojnë vetëm interesat e tyre në Gjirin Persik.

Gjatë hapjes së mbledhjes, Scott Oudkirk, zëvendësshef i përfaqësisë amerikane, shpjegoi objektivat ushtarake të luftës, mes tyre shkatërrimin e kapaciteteve raketore dhe laboratorëve bërthamorë të Iranit. Ai u bëri thirrje aleatëve të bashkëpunojnë me SHBA-në, duke furnizuar “mjete dhe armë konvencionale”.

Sipas diplomatit amerikan, ky do të ishte një “shembull i qartë i NATO 3.0”, pra në thelb një version i ri i Aleancës që do të funksiononte kështu: evropianët blejnë armë nga industria amerikane ose kontribuojnë në operacionet e drejtuara nga SHBA-ja, në këmbim të një mbrojtjeje të plotë./Përshtati në shqip Versus.al

Poll