
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për "Financial Times" mbi situatën ku ndodhet dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar se serbët janë toleruar më së shumti nga ndërkombëtarët kur vjen puna për vendosjen e sanskioneve kundër Rusisë.
Sipas tij, duhet që ndërkombëtarët t’i vënë ultimatum Serbisë ku t’i kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe theksoi se Beogradi duhet të rreshtohet krah perëndimit për t’i ofruar Kosovës siguri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
“Sapo që Serbia t’i vë sanksione Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata mund të tregojnë se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund ta kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë do të mund të besoja se në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do të përpiqeshin që t’i qetësonin më”- u shpreh Kurti.
Sa i takon pranisë së policisë së Kosovës në veri të vendit, Kurti refuzoi të tregojë kur mund të ketë një tërheqje të efektivëve por shtoi se serbët tani kanë më pak ankesa mbi praninë e tyre.
Kurti ka pasur disa përplasje diplomatike me SHBA-të, pasi amerikanët i bënë thirrje të rishikonte vendimin për heqjen e dinarit, politikë të cilën Kurti e cilësoi si të domosdoshme për të goditur financimin e grupeve kriminale në veri të vendit. Ai nënvizoi se pavarësisht dallimeve me aleatët euro-amerikanë, vlerat dhe parimet i kanë të njëjta. Versus.al







