BOTA /

Qeveria mbetet tek Vetëvendosja, Vjosa Osmani mandaton Glauk Konjufcën si kryeministër

Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, por jo koalicion.

Shkruar nga Versus

Qeveria mbetet tek Vetëvendosja, Vjosa Osmani mandaton Glauk Konjufcën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka mandatuar Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.

Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.

Në një konferencë për media, Osmani tha se sot zhvilloi takime edhe me krerët e partive të tjera më të mëdha, të cilët i thanë se nuk dëshirojnë të propozojnë mandatar.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti më herët gjatë ditës e propozoi Konjufcën për mandatar për Qeverinë e re të Kosovës, duke dërguar emrin e tij për mandatim te presidentja.

Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, por jo koalicion.

Ai tha se me zgjedhjen e një qeverie të re të udhëhequr nga ai do të shmangej mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në dhjetor, në mënyrë që vendi të mos ketë dy palë zgjedhje për një periudhë të shkurtër, pasi në prill duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Konjufca tha se qeveria e tij do të miratonte buxhetin e ri të vendit, të ratifikonte marrëveshje për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian dhe do të adresonte çështje të tjera urgjente.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se nuk e sheh as si "mundësi teorike" mundësinë e ndonjë koalicioni për Qeverinë me partitë e tjera shqiptare, për shkak të "mosbashkëpunimit të tyre.

"Është ndërtuar urrejtje hibride ndaj meje nga disa elementë të opozitës. Tash nuk jam unë. Le ta dëshmojnë se interesi i shtetit është mbi interesin partiak", tha Kurti gjatë një konference për media mbrëmjen e 4 nëntorit.

Partitë e tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar që Osmani të shpallë zgjedhje të reja.

Qëndrim të njëjtë kishin shprehur edhe pas takimit me Osmanin më 31 tetor, takim ku LVV-ja kërkoi disa ditë kohë në tentim për të bërë Qeverinë e re.

Albin Kurti, si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, më 26 tetor dështoi të merrte mbështetjen e Kuvendit për formimin e ekzekutivit.

Partia e tij i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t'i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.

Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera./REL

Poll