BOTA /

''Rusia dhe Serbia, kërcënim për ne'', Osmani: BE s'duhet ta shpërblejë Beogradin

“BE-ja vazhdon të kërkojë llogaridhënie. Ka pasur zero llogaridhënie dhe është koha që ata t'i shndërrojnë fjalët në veprime”, tha Osmani lidhur me rastin e sulmit në Banjskë.

Shkruar nga Versus

''Rusia dhe Serbia, kërcënim për ne'',

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rusia dhe aleatja e saj, Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos “e shpërbëjë Beogradin”.

Para nisjes së samitit të Komunitetit Politik Evropian në Konpenhagë të Danimarkës, Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.

“Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave ajo vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia e përkrah Serbinë në këto veprime. Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për ‘Rusinë e Madhe’ dhe ‘Botën Ruse’, Serbia për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Botën Serbe’ dhe përdorin të njëjtat metoda. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, tha Osmani.

Osmani tha se në rajonin e Ballkanit Perëndimor kurrë nuk ka vakum të ndikimit.

Nëse nuk ka ndikim perëndimor, sipas saj, “forcat malinje të ‘Trekëndëshit të Ligësisë’ – që është Rusia, Kina dhe Irani – gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por kanë interesa dashakeq strategjikë. Prandaj është e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara dhe Ballkani Perëndimor, ato shtete të rajonit që i plotësojnë kriteret dhe punojnë me vlerat e BE-së, duhet të merren parasysh që të lëvizin përpara”.

Më vonë në samitin në Kopenhagë, Osmani u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Ajo tha në Facebook se Ruttes ia theksoi rolin vendimtar të NATO-s në garantimin e stabilitetit rajonal, si dhe përkushtimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme në përballjen me sfidat e përbashkëta.

“Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të riafirmuar gatishmërinë tonë për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Para samitit, Osmani tha se disa ditë më parë Kosova shënoi dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Kosova e konsideron këtë sulm terrorist dhe akuzon shtetin e Serbisë për organizimin e tij.

“BE-ja vazhdon të kërkojë llogaridhënie. Ka pasur zero llogaridhënie dhe është koha që ata t'i shndërrojnë fjalët në veprime”, tha Osmani.

Sipas saj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar që ta kopjojë udhëheqësin rus, Vladimir Putin, “duke përdorur taktika të agresionit dhe destabilizimit ndaj fqinjëve dhe për këtë arsye është e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin me Rusinë nuk është rruga përpara. Shtetet që janë harmonizuar 100 për qind me BE-në duhet të shpërblehen, jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugë përpara”, tha ajo.

Serbia mban raporte të mira me Rusinë dhe deri më tani ka refuzuar që t’i bashkohet komunitetit ndërkombëtar në sanksionimin e Moskës për shkak të luftës kundër Ukrainës. REL

 

Poll