
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ka hedhur një akuzë të rëndë ndaj Serbisë, duke pretenduar se Beogradi po furnizon fshehurazi Ukrainën me armë, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe rrugë të tërthorta nëpërmjet vendeve të NATO-s dhe disa shteteve afrikane.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën në faqen zyrtare të SVR-së, me titullin shpotitës “Industria Serbe e Mbrojtjes po përpiqet ta qëllojë Rusinë pas shpine”, agjencia ruse akuzon kompanitë serbe se po shkelin neutralitetin e deklaruar zyrtarisht nga Beogradi.
“Sipas informacioneve tona, kompanitë serbe të mbrojtjes vazhdojnë të furnizojnë Kievin me municion, në kundërshtim me pozicionin neutral të shpallur nga Serbia,” thuhet në deklaratën e SVR.
Pretendimet shkojnë më tej: thuhet se janë përdorur “certifikata të rreme” për të kaluar armë përmes Polonisë, Çekisë, Bullgarisë dhe vendeve të tjera të NATO-s, si dhe përmes disa shteteve afrikane të papërcaktuara. Sipas SVR, sasia e transportuar është e konsiderueshme – rreth 100 mijë raketa dhe predha, plus një milion fishekë për armë të vogla. Në mesin e të dyshuarve për përfshirje në këtë skemë përmendet edhe kompania shtetërore Yugoimport-SDPR.
Vuçiç mohon dhe thërret për qetësi
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk vonoi të reagonte ndaj akuzave, duke i cilësuar si të pavërteta. Ai deklaroi se ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me presidentin rus, Vladimir Putin, ku i ka dhënë garanci për qëndrimin e Serbisë.
“Në praninë e disa anëtarëve të delegacioneve përkatëse, por edhe në një bisedë kokë më kokë me presidentin Putin, u sqaruam. Disa prej pohimeve nuk janë të sakta. Për shembull, përmendet një kontratë me Çekinë, por asnjë leje nuk është dhënë dhe asnjë raketë nuk është dorëzuar,” u shpreh Vuçiç për median N1.
Presidenti serb e vuri theksin edhe te rëndësia ekonomike e industrisë së armëve për vendin e tij. “Industria jonë ushtarake punëson rreth 24 mijë persona dhe ajo duhet të mbijetojë. Për momentin, prodhimi është i orientuar për nevojat e ushtrisë sonë,” tha ai.
Në fund, Vuçiç iu drejtua kritikëve me një thumb të drejtpërdrejtë: “Ata që më kanë quajtur më parë spiun rus, tani thonë se paskam ndërruar anë. Jo, zotërinj, ne punojmë vetëm për Serbinë.”
Megjithatë, raportet ndërkombëtare flasin ndryshe: që prej nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, Serbia raportohet se ka eksportuar municion me vlerë 800 milionë euro drejt Ukrainës përmes ndërmjetësve të tretë. Versus.al







