Shtetet e Bashkuara kryen një sulm ushtarak vdekjeprurës kundër një anijeje të dyshuar për drogë të lidhur me kartelin Tren de Aragua. Lajmin e dha mbrëmë pesidenti amerikan Donald Trump i cili tha se 11 persona u vranë në sulmin e kryer në "ujëra ndërkombëtare".
Sekretari i Shtetit Marco Rubio e përshkroi sulmin vdekjeprurës si të ndodhur në "Karaibet jugore" kundër një anijeje droge që ishte nisur nga Venezuela. Përdorimi i forcës ushtarake kundër karteleve të drogës në Amerikën Latine përfaqëson një përshkallëzim të konsiderueshëm nga administrata Trump dhe mund të ketë implikime serioze për rajonin.
“Më herët këtë mëngjes, me urdhrin tim, Forcat Ushtarake Amerikane kryen një sulm kinetik kundër narkoterroristëve të identifikuar të Tren de Aragua në zonën e përgjegjësisë së SOUTHCOM. TDA është një Organizatë e Huaj Terroriste e përcaktuar, që vepron nën kontrollin e Nicolas Maduro, përgjegjëse për vrasje masive, trafik droge, trafikim seksual dhe akte dhune dhe terrori në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Hemisferën Perëndimore”, tha Trump në një postim në Truth Social. “Ju lutem, le të shërbejë kjo si njoftim për këdo që mendon të sjellë drogë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. KUJDES!”, shkroi ai.
Departamenti i Shtetit e caktoi Tren de Aragua, e cila e kishte origjinën në Venezuelë, si një organizatë terroriste të huaj dhe terroristë globalë. SHBA-të kanë grumbulluar një numër të madh asetesh ushtarake rreth Karaibeve dhe Amerikës Latine, duke shkaktuar zemërimin e udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro. Versus.al







