BOTA /

SHBA në gadishmëri: Panik se Irani mund të sulmojë brenda 48 orëve

Shkruar nga Versus

SHBA në gadishmëri: Panik se Irani mund të sulmojë brenda 48

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen në gjendje gatishmërie të lartë, pasi pritet një kundërpërgjigje ushtarake nga Irani brenda 48 orëve, në vijim të sulmeve ajrore amerikane mbi objektiva strategjike bërthamore iraniane.

Lajmi është bërë i ditur nga dy zyrtarë të lartë të Uashingtonit, të cituar në mënyrë anonime nga agjencia Reuters, të cilët thanë se inteligjenca amerikane sugjeron se Irani po përgatit një sulm të mundshëm ndaj interesave amerikane në rajon. Objektivat mund të përfshijnë bazat ushtarake amerikane, ambasadat ose anijet në rajonin e Gjirit Persik.

Tensionet mes dy vendeve u rritën ndjeshëm pas vendimit të Shtëpisë së Bardhë për të bombarduar centralet bërthamore iraniane në Fordow, Natanz dhe Isfahan, një veprim i konsideruar nga Irani si shkelje flagrante e sovranitetit të tij. Si përgjigje, Teherani ka kërcënuar me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë nevralgjike për tregtinë globale të naftës.

Presioni izraelit dhe reagimi amerikan

Të dhënat e bëra publike tregojnë se Izraeli ushtroi presion të drejtpërdrejtë mbi SHBA, duke kërkuar një përgjigje të menjëhershme për përfshirjen amerikane në konfliktin me Iranin. “Nuk mund të presim dy javë për një vendim,” mësohet të kenë deklaruar zyrtarë izraelitë, një mesazh që duket se ndikoi në vendimin për sulmin amerikan një ditë më vonë.

NATO: Ndasi në qëndrime

Në prag të samitit të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, ka dalë me një deklaratë të kujdesshme duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës. Ai tha se nuk pajtohet me ata që e konsiderojnë sulmin amerikan si të pajustifikuar sipas së drejtës ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë paralajmëroi se një Iran me kapacitet bërthamor do të ishte kërcënim serioz për Izraelin dhe stabilitetin në gjithë rajonin./Versus.al/

Poll