Kashmira Bulsara (73 vjeçe), motra e legjendës së muzikës Freddie Mercury (emri i lindjes Farrokh Bulsara), raportohet se është shumë e zemëruar me ish-të dashurën e tij, Mary Austin, për shkak të shitjes së sendeve personale të këngëtarit, shkruan tabloidi britanik The Sun.
“Kashmira ishte e tronditur dhe e mërzitur kur pa që kaq shumë nga sendet e dashura të vëllait të saj ishin nxjerrë në shitje”, ka treguar një burim i afërt me familjen.
Për këtë arsye, Kashmira, së bashku me djalin e saj Jamal Zook dhe asistentin personal, mori pjesë në mënyrë diskrete në ankandin e organizuar nga shtëpia prestigjioze Sotheby’s, ku thuhet se shpenzoi plot tre milionë funte (3.5 milionë euro) për të blerë disa nga sendet më me vlerë.
“Ata kishin caktuar një buxhet të madh, kështu që në fund ishin të kënaqur me shumën e shpenzuar – edhe pse për çdo send kishin paguar më shumë sesa vlerësimi fillestar. Natyrisht, Kashmira e vlerëson faktin që Freddie adhurohet në gjithë botën, por ajo u pikëllua nga ideja që disa nga gjërat më sentimentale të tij mund të mos mbeten në familje”, shtoi burimi.
Ndër objektet që thuhet se i ka blerë Kashmira janë: një jukebox, një jelek me figurat e maceve të Freddie-t që ai e kishte veshur gjatë xhirimeve të videoklipit për këngën “These Are The Days Of Our Lives”, si dhe tetë faqe me versionet e para të teksteve të këngës “Killer Queen”.
Për kujtesë, Mary dhe Freddie janë njohur në vitin 1970, kur ai ishte zhvendosur nga Zanzibari në Londër. Tre vite më vonë filluan të jetonin bashkë, por në vitin 1976, Freddie i tregoi Mary-t se ishte homoseksual, çka çoi në ndarjen e tyre.
Megjithatë, lidhja e tyre mbeti shumë e fortë – ai shpesh e quante Mary-n “gruaja e tij”, pavarësisht se nuk u martuan kurrë. Ata mbetën miq të ngushtë deri në vdekjen e Freddie Mercuryt në vitin 1991.








