Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi të martën në një fabrikë kimike në Kinën lindore, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Ngjarja ndodhi në repartin e prodhimit të kompanisë Shandong Youdao Chemical, e vendosur në qytetin Gaomi, në provincën Shandong, pak minuta para mesditës me orën lokale. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shkaktoi një re të madhe tymi me ngjyrë gri dhe portokalli, e cila u ngjit në qiell dhe ishte e dukshme nga disa kilometra larg. Forca e shpërthimit theu xhamat e ndërtesave përreth dhe nxiti një operacion të menjëhershëm shpëtimi në shkallë të gjerë.
Sipas televizionit shtetëror CCTV, deri tani nuk është bërë i ditur shkaku i shpërthimit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të incidentit.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet vendore bënë të ditur se 19 persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta dhe po marrin trajtim në spitalin më të afërt. Zyrtarët lokalë u shprehën se të gjitha përpjekjet janë përqendruar në kërkimin e personave të zhdukur dhe garantimin e sigurisë në zonën përreth fabrikës.
Fabrika Shandong Youdao Chemical prodhon kimikate të përdorura në industrinë e përpunimit dhe prodhimit të materialeve industriale, çka ka ngritur shqetësime të mëdha për rreziqet mjedisore dhe të sigurisë.
Incidenti vjen në një kohë kur siguria industriale në Kinë vazhdon të jetë në vëmendje, veçanërisht pas disa shpërthimeve të mëdha të ndodhura vitet e fundit në objekte të ngjashme, që kanë rezultuar me viktima dhe dëme të mëdha materiale. /Versus.al







