
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Zvicrën në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ku një shpërthim i ndjekur nga zjarr ka ndodhur në lokalin “Le Constellation”, në Crans-Montana, një nga stacionet më të njohura të skive në kantonin Valais.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30, ndërsa bilanci paraprak flet për të paktën 10 persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të panjohura. Autoritetet kanë folur për një “ngjarje të rëndë”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
???????????????? ALERTE INFO - Une explosion a déclenché un incendie dans un bar de Crans-Montana (VS) lors des festivités du Nouvel An, faisant plusieurs morts et blessés graves. (Blick) pic.twitter.com/GKiGZfTETs
— SuisseAlert (@SuisseAlert) January 1, 2026
Media ndërkombëtare Sky News, duke iu referuar burimeve policore, raporton për 10 viktima dhe të paktën 10 të plagosur, ndërsa gazeta zvicerane Le Nouvelliste flet për një bilanc shumë më të rëndë, duke përmendur rreth 40 të vdekur dhe mbi 100 të lënduar, shifra që ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
![]()
Në momentin e incidentit, më shumë se 100 persona ndodheshin brenda lokalit, ndërsa një operacion i gjerë shpëtimi është vënë menjëherë në lëvizje. Spitalet në zonën frëngjishtfolëse të Zvicrës janë mobilizuar për të pritur të plagosurit, shumë prej të cilëve kanë pësuar djegie të rënda, raporton Radio Televizioni Zviceran (RTS).

Në vendngjarje kanë ndërhyrë policia kantonale dhe bashkiake, zjarrfikësit, si dhe disa helikopterë shpëtimi. Operacioni është ende në zhvillim, ndërsa zona është shpallur e ndaluar për qarkullim. Autoritetet kanë vendosur gjithashtu ndalim fluturimi mbi Crans-Montana.
Policia ka njoftuar se do të mbajë një konferencë për shtyp, ndërsa është vënë në dispozicion edhe një linjë ndihme (help-line) për familjarët e viktimave dhe personave të përfshirë në këtë tragjedi.

