BOTA /

Si po i përgatit Rusia fëmijët ukrainas që të luftojnë kundër shtetit të tyre?

Yunarmia, apo Ushtria Rinore, u krijua më 2016 me iniciativën e ministrit të atëhershëm rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Shkruar nga Versus
Si po i përgatit Rusia fëmijët ukrainas që të
Presidenti rus, Vladimir Putin, takohet me anëtarët e organizatës Yunarmia, në shtator të vitit 2019

Rusia po përdor një organizatë rinore ushtarake, Yunarmia, për të strehuar adoleshentët besnikë në territoret e pushtuara të Ukrainës dhe për t’i përgatitur ata për të luftuar në luftën e Moskës kundër vendlindjes së tyre.

Zhvillimi i Yunarmias mes pushtimit në shkallë të plotë dëshmohet edhe nga dokumente të papublikuara më parë nga autoritetet pushtuese ruse, të cilat janë marrë në posedim nga grupi i hakerëve ukrainas, KibOrg, grup që ia ka dhënë këto dokumente, njësisë hulumtuese të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat, dhe partnerëve të tij medial.

Yunarmia, apo Ushtria Rinore, u krijua më 2016 me iniciativën e ministrit të atëhershëm rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Kjo organizatë thotë se ka 1.3 milion anëtarë. Fëmijët, nga mosha 8-vjeçare, mund t’i bashkohen kësaj organizate përmes plotësimit të një pyetësori në një aplikacion në telefon.

Organizata pretendon se lehtëson zhvillimin shpirtëror, moral, shoqëror dhe intelektual të të ashtuquajturve kadetë të Yunarmias. Po ashtu thotë se “formon një motivim pozitiv për t’i përmbushur detyrat kushtetuese dhe përgatit djemtë e rinj për shërbim në Forcat e Armatosura të Federatës Ruse”.

Më 2017, kadetët e Yunarmias marshuan së bashku me ushtarët në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, ceremoni e cila u udhëhoq nga presidenti rus, Vladimir Putin. Këtë vit, fëmijët e organizatës Yunarmia nga rajoni Luhansk, i pushtuar nga Rusia, morën pjesë në festimet ushtarake në qytetin rus, Novosibirsk.

Rusia ka hapur degën e parë të Yunarmias në territoret e pushtuara të Ukrainës në Krime, disa muaj pas formimit zyrtar të organizatës. Deri në shtator të vitit 2016, Yunarmia ishte përhapur në mbarë gadishullin e Detit të Zi, sipas Oleh Okhredkos, analist në Qendrën e Edukimit Qytetar, Almenda. Kjo qendër përbëhet nga një grup ukrainasish, që dokumenton shkeljet e të drejtave të fëmijëve në kohë lufte.

Më 2014, Rusia pushtoi Krimenë dhe mbështeti luftën në rajonet lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, që njihen edhe si Donbas.

Yunarmia “u krijua me ide specifike të riedukimit ushtarak jo vetëm për [fëmijët] rusë, por edhe për fëmijët ukrainas nga territoret e pushtuara”, tha Kateryna Rashevska, avokate nga Qendra rajonale për të Drejtat e Njeriut, qendër që është detyruar të zhvendoset nga Krimeja në Kiev, pas pushtimit rus.

Deri në janar të vitit 2022, një muaj para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Yunarmia kishte 29.000 anëtarë vetëm në Krime, sipas të dhënave të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Autoritetet ligjzbatuese të Ukrainës e kanë akuzuar udhëheqjen e organizatës Yunarmia në Krimenë e pushtuar për shkelje të mbrojtjes së civilëve, që garantohet me Konventën e Gjenevës, duke cituar një nen të konventës që ndalon “propagandën që synon regjistrimin vullnetar të civilëve”. 

Iryna Sedova, eksperte e Grupit për të Drejtat e Njeriut në Krime, mbështet akuzën e bërë nga shteti.

“Ne konsiderojmë se aktivitetet e kësaj organizate shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe udhëheqësit e kësaj organizate po kryejnë krime lufte kundër banorëve të Krimesë, në veçanti, ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që po zombifikohen dhe de facto i përfshijnë në mënyrë të pavullnetshme në Yunarmia”, deklaroi ajo për Radion Evropa e Lirë më 2022.

Si përgjigje ndaj këtyre akuzave, kreu i degës së Yunarmias në Sevastopol, Volodymyr Kovalenko, tha se Qeverinë aktuale të Ukrainës e konsideron jolegjitime dhe mohoi se ka kryer ndonjë krim.

Megjithatë, që nga pushtimi disa ish-anëtarë të Yunarmias nga zonat e pushtuara i janë bashkuar ushtrisë ruse për të luftuar kundër Ukrainës.

Në mesin e tyre: Illya Zozulskiy, 23 vjeç, nga fshati Poltavka i Krimesë, i cili është një artiljer i dekoruar me medaljen prestigjioze Zhukov, sipas mediave ruse. Media ruse, Mash, raportoi në janar të vitit 2023 se ai ishte një nga 50 “mentorët” nga Yunarmia, që po luftonin.

Zozulskiy nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë dhe partnerët e saj medial.

Më 19 nëntor, Britania njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj Yunarmias, duke e cilësuar atë si “organizatë paramilitare ruse, qendrore për përpjekjet e Putinit që me forcë të dëbojë apo indoktrinojë gjeneratën e re të Ukrainës”. Britania tha se organizata “është e përfshirë në përpjekjen sistematike të Rusisë për të fshirë identitetin kulturor dhe kombëtar ukrainas”.

Njoftimi për sanksione ndodhi mes raportimeve se ushtria ruse për herë të parë ka rekrutuar banorë nga pjesët e pushtuara të Ukrainës.

Yunarmia nisi të operonte në Donbas vetëm pasi Putini, pa ofruar prova, pretendoi në shtator të vitit 2022 se rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, së bashku me atë të Zaporizhjas dhe Hersonit ishin pjesë e Rusisë. Që nga viti 2019, një grup i ngjashëm i quajtur Garda e Re – Yunarmia, ka operuar në Donbas. REL

Poll