BOTA /

Si u ndalua lufta me Beogradin, Osmani: Në maj mora informacione për veprime të Serbisë në veri

Osmani e dha deklaratën për mediat me qëllim sqarimin e deklaratës së presidentit të SHBA Donald Trump i cili tha se kishte ndalur një luftë të mundshme mes Serbisë e Kosovës.

Shkruar nga Versus

Si u ndalua lufta me Beogradin, Osmani: Në maj mora informacione për

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditën e djeshme deklaroi se Serbia ka ende qëllim destabilizimin e situatës në vend gjë që e ka konfirmuar edhe në Uashington disa ditë më parë duke u bazuar në informacionet që ka marrë nga institucionet.

Gjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, presidentja i konfirmoi deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për mediat.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.

Mes tjerash, presidentja Osmani ka thënë se është habitur kur ka dëgjuar raportime se qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të informuar më parë për rreziqet nga Serbia, meqë, sipas saj, “kjo çështje është trajtuar në dhjetëra deklarata të Presidencës së Kosovës” dhe që për rrezikun e majit ka folur edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”. Versus.al

Poll