Një stuhi e fuqishme ka prekur Serbinë, duke goditur me intensitet të lartë kryeqytetin Beograd dhe qytetet përreth si Obrenovac, Pançeva, Mlladenovac dhe Kragujevci. Reshjet e dendura të shiut, breshëri, vetëtimat dhe erërat e forta kanë shkaktuar një situatë alarmante në shumë zona të vendit.
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Beograd dhe ka dërguar mesazhe emergjente përmes SMS qytetarëve, duke i paralajmëruar për rrezikun e madh që paraqet kjo stuhi. Paralajmërimi përfshin mundësinë e dëmeve materiale, përmbytjeve lokale, rrëshqitjeve të dheut, shembjeve, si dhe goditjeve të rrufesë.
Stuhia pritet të shkaktojë ndërprerje të energjisë elektrike, probleme në rrjetet e telekomunikacionit dhe pengesa serioze në qarkullimin rrugor. Për këtë arsye, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke ndjekur njoftimet vetëm nga burimet zyrtare.
Deri më tani, reshjet kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të prekura, por ende nuk ka të dhëna të plota mbi dëmet materiale. Situata mbetet kritike dhe autoritetet janë në gatishmëri të plotë për të ndjekur dhe përballuar zhvillimet në terren. Versus.al







