Tensionet mes Moskës dhe Beogradit janë ndezur sërish, pasi Rusia ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Serbisë për furnizim të mundshëm të armatimeve drejt Ukrainës. Në një deklaratë publike, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova, ka paralajmëruar rrezik të mundshëm për Serbinë, nëse rezulton e vërtetë se kompani serbe kanë ndihmuar ushtarakisht Kievin.
Në një konferencë për shtyp, Zakharova deklaroi se Rusia “ka marrë parasysh garancitë publike të Presidentit Aleksandar Vuçiç” për nisjen e një auditimi mbi bashkëpunimin ushtarako-teknik të Serbisë me partnerë të huaj. Sipas saj, auditimi do të zbulojë nëse janë shkelur certifikatat e përdoruesit fundor – dokumente që përcaktojnë se armatimet nuk duhet të përfundojnë në vende të tretë.
Deklaratat e Zakharovës vijnë në linjë me një tjetër qëndrim të ashpër të bërë publik nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), i cili pretendon se Serbia ka furnizuar me municione dhe armatime Ukrainën – një veprim në kundërshtim me politikën e shpallur të neutralitetit ushtarak të Beogradit.
Në deklaratën e saj, Zakharova nënvizoi:
“Jemi të sigurt që Serbia e kupton qartë gamën e plotë të rreziqeve që paraqet mundësia që produktet ushtarake të bien në duart e regjimit të Kievit… Serbia duhet të veprojë për të mos hedhur hije mbi marrëdhëniet e mira mes vendeve tona.”
“Thikë pas shpine” nga një aleat?
Rusia nuk e fshehu zhgënjimin, duke e cilësuar një tradhti të mundshme si “thikë pas shpine”. Në deklaratën e inteligjencës ruse, Beogradit i kujtohet se Rusia ka qenë përherë mbështetëse e palëkundur e interesave serbe – që nga bombardimet e NATO-s, deri tek çështja e Kosovës.
“Rusia u ka ardhur vazhdimisht në ndihmë serbëve në momentet më kritike të historisë së tyre”, shkruhet në deklaratë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e mohoi kategorikisht përfshirjen shtetërore të Serbisë në furnizimin e Ukrainës me armë. Ai njoftoi se do të ndërmerren hetime për të sqaruar çdo dyshim, por shtoi se “kompanitë serbe duhet të vazhdojnë të punojnë”.
Megjithatë, presioni diplomatik nga Rusia e vë Beogradin në një pozicion të vështirë mes aleancës historike me Moskën dhe përpjekjeve për afrimin me Perëndimin. /Versus.al







