Alain Barnard Ganao, 5-vjeçar, mbetet ende i zhdukur pasi u largua nga një kamping në zonën Latte të Ventimiglia-s, pranë kufirit italo-francez, mbrëmjen e së premtes, më 11 korrik. Djali ishte me pushime të shkurtra me familjen e tij në zonën rekreative Por La Mar kur në rrethana të panjohura, u zhduk.
Alarmi u dha pak pas orës 7:30 të mbrëmjes kur një kalimtar vuri re djalin e vogël vetëm pranë një kalimi për këmbësorë dhe e ndihmoi të kalonte rrugën. Kjo ishte hera e fundit që ai u pa. Që atëherë, nuk ka pasur asnjë gjurmë, asnjë dëshmi.
Mobilizim i madh
Një operacion kërkimi në shkallë të gjerë është ngritur që nga minuta e parë: janë përfshirë policia, karabinierët, zjarrfikësit, vullnetarët, shpëtimtarët malorë, ndërsa janë vendosur edhe dronë me kamera termike, qen të trajnuar posaçërisht dhe një helikopter. Kërkimi vazhdon ditë e natë, por deri më tani pa asnjë rezultat.
Situata ndërlikohet më tej nga fakti se Alain thuhet se është në spektrin e autizmit, gjë që bën të mundur që ai të mos u përgjigjet thirrjeve nga ekipet e shpëtimit, sipas Corriere della Sera.







