Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është bërë sërish objekt i një kërcënimi me jetë, raportojnë mediat vendase duke iu referuar burimeve nga Policia e Kosovës. Mesazhi kërcënues është dërguar përmes adresës elektronike zyrtare të Presidencës, dhe përmbajtja e tij ka alarmuar autoritetet e sigurisë.
Policia ka konfirmuar se po zhvillohen hetime intensive për të identifikuar dërguesin e kërcënimit dhe për të vlerësuar nivelin e rrezikut ndaj Presidentes dhe institucionit që ajo përfaqëson. Fotografia e mesazhit, që është shpërndarë në disa media, tregon gjuhë të drejtpërdrejtë kërcënuese dhe përmbajtje serioze që kanë ngritur shqetësim në opinionin publik.
Ky nuk është kërcënimi i parë me vdekje ndaj Presidentes Osmani. Ajo është përballur edhe më herët me gjuhë të dhunshme, sidomos gjatë periudhave të tensionuara politike brenda dhe jashtë vendit.
Sipas burimeve nga presidenca, rastet e tilla janë shpeshtuar kohët e fundit, gjë që ka shtyrë shërbimet e sigurisë të rrisin nivelin e mbrojtjes për të. /Versus.al/







