Një aksident ajror tragjik ka tronditur Indinë më 12 qershor, kur një avion Boeing 787 “Dreamliner” i kompanisë Air India, me numër fluturimi AI171, u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga qyteti Ahmedabad, në veriperëndim të vendit.
Ngjarja u konfirmua nga ministri indian i Aviacionit Civil, Murlidhar Mohol, i cili tha se hetimet janë duke u zhvilluar në të gjitha drejtimet dhe nuk përjashtohet as pista e sabotimit.
Sipas të dhënave zyrtare, 279 persona kanë humbur jetën, duke e bërë këtë aksidentin ajror më të rëndë globalisht që nga viti 2014. Nga 242 pasagjerët në bord, vetëm një person ka mbijetuar, falë pozicionit pranë një daljeje emergjente. Përplasja ka ndodhur në një zonë të banuar, ku janë raportuar edhe 38 viktima në tokë.
Piloti kishte dhënë një sinjal alarmi pak pas ngritjes, por avioni nuk arriti të fitojë lartësi dhe u rrëzua, duke shpërthyer në flakë. Pamjet e publikuara tregojnë avionin që bie me shpejtësi drejt tokës dhe shpërthen në një top zjarri.
Në një intervistë për NDTV, ministri Mohol përmendi mundësinë e dështimit të njëkohshëm të të dy motorëve, një skenar i pazakontë dhe i paparë më parë për këtë model. Ai tha se shkaqet do të bëhen të qarta pasi të përfundojë analiza e kutive të zeza – regjistruesit të të dhënave teknike (FDR) dhe atij të komunikimeve në kabinën e pilotëve (CVR) – të cilat po analizohen nga Autoriteti Indian i Hetimeve Ajrore (AAIB).
Avioni kishte si destinacion Londrën dhe ishte një nga 33 avionët Boeing 787 që operohen nga Air India. Pas aksidentit, autoritetet urdhëruan një inspektim urgjent të gjithë flotës, por deri tani nuk është konstatuar asnjë problem teknik në avionët e tjerë.
Nga 279 viktima, 260 janë identifikuar përmes analizave të ADN-së, ndërsa procesi i identifikimit po vijon.
Raporti përfundimtar i hetimit pritet të publikohet brenda tre muajve, sipas autoriteteve indiane. /Versus.al/







