BOTA /

Tragjedia me 59 të vdekur në Koçan, publikohet raporti mjeko-ligjor/ Shkaku tronditës që ju mori jetën të rinjve

Profesori Aleksandar Stankov ka deklaruar se ata kanë ndërruar jetë për shkak të mbytjes nga tymi që pushtoi lokalin e natës pasi ra zjarr.

Shkruar nga Versus

Tragjedia me 59 të vdekur në Koçan, publikohet raporti

Udhëheqës i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ka bërë me dije shkakun e vdekjes së 59 të rinjve në diskotekën “Pulse”.

Profesori Aleksandar Stankov ka deklaruar se ata kanë ndërruar jetë për shkak të mbytjes nga tymi që pushtoi lokalin e natës pasi ra zjarr.

Ai ka shpjeguar se katër nga të ndjerit kanë pasur lëndime, përkatësisht brinjë të thyera dhe janë mbytur për shkak të presionit që ndodh në një rrëmujë (asfiksi kompresive).

Siç tregon ai, mosha e viktimave ka qenë nga 16-29 vjeç dhe shumica prej tyre kanë ndërruar jetë nga asfiksimi, ndërsa disa të tjerë nga djegiet.

“U bënë autopsi 59 personash. Shumica e tyre, ose 70 për qind e tyre, janë nga mosha 16 deri në 29 vjeç. Nga të vdekurit 16 janë femra dhe 43 meshkuj. Shkaku i vdekjes për të 59 viktimat ka qenë i dhunshëm dhe ka ndodhur për shkak të mbytjes së dhunshme dhe lidhet drejtpërdrejt me zjarrin në diskotekën Pulse. Disa prej tyre janë konstatuar me djegie të shkallës së parë dhe të dytë, ndërsa tre persona kanë djegie të shkallës së katërt. Shkaku i vdekjes është mbytja.

Në periudhën e ardhshme, gjatë muajit mars, presim të përfundojnë të gjitha raportet lidhur me autopsitë. Mund të na duhet më shumë kohë për të kryer analiza toksikologjike, të cilat, në realitet, kërkojnë kohë për t’u kryer. Çdo gjë që bëjmë do ta dorëzojmë në Prokurori. Veshjet dhe sendet personale të të ndjerve të gjetura gjatë autopsisë ndodhen në Institutin dhe janë nën juridiksionin e Prokurorisë Publike. Se çfarë do të ndodhë me ta do të vendosë Prokuroria Publike, pasi ato mund të merren si prova në procedurë gjyqësore”, tha profesori dr. Stankov.

Identifikimi i viktimave është bërë duke përdorur metoda të ADN-së dhe gjurmët e gishtërinjve.

“Identifikimet janë kontrolluar disa herë, sepse në këto kushte nuk mund të lejojmë asnjë gabim. Është dashur të kontrollojmë disa herë për të shmangur ndonjë gabim dhe e kemi përfunduar punën në një periudhë mjaft të shpejtë”, tha profesor Stankov.

AI tha se në shumicën e rasteve të zjarreve, gazi më i zakonshëm është monoksidi i karbonit. Cianidi i hidrogjenit dhe sulfuri i hidrogjenit mund të shfaqen gjithashtu.

“Tani jemi duke bërë analiza toksikologjike për të përcaktuar se çfarë është e pranishme në gjak, por sipas gjetjeve makroskopike gjatë autopsive, shumica e tyre përmbajnë monoksid karboni”, shtoi Stankov, duke theksuar se monoksidi i karbonit është një gaz shumë i rrezikshëm, pa erë dhe pa shije që vepron në sistemin nervor qendror dhe i paaftëson viktimat, pas së cilës vdekja mund të ndodhë shumë shpejt, në varësi të disa minutave.

Profesori theksoi se në atë hapësirë, në një tym të tillë, monoksidi i karbonit vepron shumë shpejt dhe i pamundëson viktimat të shpëtojnë. Ai tha se shkakton dhimbje koke, të vjella, marramendje, pavetëdije, çorientim, paralizë muskulore dhe pamundësi për të lëvizur janë pasojat e këtij gazi.

“Por këtu duhet të keni parasysh edhe gjëra të tjera, siç është mbytja e ambientit, sepse flaka që digjet harxhon oksigjen, kështu që përveç ndikimit të monoksidit të karbonit, kemi edhe një sasi të reduktuar të oksigjenit”, u përgjigj profesor Stankov.

Poll