Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka ngritur aktakuzë ndaj 34 personave dhe tri subjekteve juridike, përfshirë ish-ministra, zyrtarë të lartë dhe pronarë biznesesh, lidhur me zjarrin tragjik që përfshiu klubin e natës “Pulse” në qytetin e Koçanit, duke shkaktuar vdekjen e 62 personave dhe plagosjen e rreth 200 të tjerëve.
Zjarri shpërtheu më 16 mars, gjatë një koncerti hip-hop ku ishin të pranishëm qindra të rinj. Fishekzjarrët e ndezur brenda ambientit të mbyllur dyshohet se kanë shkaktuar përhapjen e flakëve, ndërsa klubi nuk kishte as masat minimale të sigurisë.
Zyrtarë të lartë dhe ish-ministra mes të akuzuarve
Sipas prokurorit publik Lupço Koçevski, të akuzuarit përfshijnë:
- Dy ish-ministra të Ekonomisë, të cilët lëshuan licenca për operimin e klubit, pavarësisht shkeljeve të rënda.
- Katër drejtorë të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, në detyrë që prej vitit 2012.
- Tre inspektorë komunalë të ndërtimit, një kompani ndërtimi, si dhe pronari dhe drejtuesit e klubit.
- Përmenden gjithashtu edhe pesë punonjës publikë të Ministrisë së Ekonomisë dhe një ministër aktual pa portofol, Shaban Saliu.
Koçevski bëri të ditur se dy ministra të tjerë janë ende nën hetim, por nuk janë përfshirë në aktakuzën aktuale për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.
Shkelje të rënda sigurie dhe leje të falsifikuara
Sipas aktakuzës, thuajse të gjitha rregulloret për funksionimin e një klubi nate janë shkelur që nga hapja e tij në vitin 2012. Ndër shkeljet përmenden:
-Mungesa e daljeve emergjente dhe sistemeve për fikjen e zjarrit;
- Leje të falsifikuara ndërtimi dhe rinovimi;
-Injorimi i inspektimeve ligjore dhe bashkëpunim i zyrtarëve me pronarët e klubit për të shmangur kontrollet.
“Të gjithë kishin pushtet dhe kompetenca ligjore për të parandaluar tragjedinë, por askush nuk veproi,” deklaroi Koçevski. /Versus.al/







