
Francë- Dhjetëra persona të maskuar, të armatosur me shufra metalike dhe kokteje Molotov, sulmuan makina në një rrugë kryesore dhe u përleshën me policinë të shtunën në qytetin e Limoges në Francën qendrore.
Përleshjet gjatë natës lanë 10 oficerë policie të plagosur, sipas autoriteteve, të cilat thanë se dyshojnë për një luftë territori midis bandave.
Sulmuesit e armatosur zbritën në rrugën RN141 dhe u përpoqën ta bllokonin atë gjatë një përleshjeje me policinë, sipas zyrtarëve. Prokurorët thanë se automjetet u sulmuan, por nuk kishte raportime të menjëhershme për shoferë të plagosur.
"Pati midis 100 dhe 150 individë të maskuar, të armatosur me kokteje Molotov, fishekzjarre, gurë, shufra hekuri dhe shkopinj bejsbolli", tha për AFP kreu i sindikatës lokale të policisë Laurent Nadeau. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe municione për kontrollin e turmës.
Kryebashkiaku Emile Roger Lombertie i quajti protestuesit një grup "guerilas urbanë". "Ata janë të organizuar, të strukturuar, kanë një plan dhe armë", tha ai. "Kjo nuk ishte një protestë spontane për t'u ankuar për diçka. Pa pretekst, asgjë. Bëhet fjalë për shkatërrimin e gjërave dhe për të treguar se territori ju përket atyre", shtoi Lombertie.
Trazirat kishin shpërthyer aty pranë, në Val de l'Aurence, natën e 14 korrikut, ditës kombëtare të Francës. Lombertie tha se kjo "lagje shumë e varfër, me të rinj me prejardhje emigrantësh" ishte bërë një "zonë pa ligj".
Ministria e Brendshme e Francës njoftoi të shtunën planet për të vendosur një forcë të posaçme sigurie në qytet. Versus.al







