Keir Starmer zbuloi sot në një intervistë 3 kushtet që duhet të plotësohen, sipas tij, për të arritur "paqe të qëndrueshme" në Ukrainë.
Duke folur për BBC pak orë përpara samitit vendimtar në Londër për sigurinë dhe Ukrainën, kryeministri britanik vlerësoi se kërkohen tre elementët e mëposhtëm: Së pari, një Ukrainë "në një pozicion të fortë për të negociuar", pastaj "një element evropian në lidhje me garancitë e sigurisë" si dhe "mbulimi amerikan".
Kujtohet se Starmer njoftoi sot, në të njëjtën intervistë, se Londra dhe Parisi do të punojnë së bashku "në një plan për t'i dhënë fund luftimeve" midis Ukrainës dhe Rusisë. Pas bisedimeve që kryeministri britanik pati me Presidentin e SHBA Donald Trump, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin francez Emmanuel Macron, "ne ramë dakord që Britania, së bashku me Francën dhe ndoshta një ose dy vende të tjera, do të punojnë me Ukrainën në një plan për t'i dhënë fund konfliktit". “Më pas do ta diskutojmë këtë plan me SHBA-në”, tha ai.
Starmer insistoi në intervistën e tij mbi rëndësinë e garancive të sigurisë në mënyrë që të shmanget "rreziku" që Rusia të sulmojë përsëri Ukrainën nëse Presidenti Vladimir Putin "ka mundësi". "Unë besoj se duhet ta përjashtojmë këtë mundësi dhe kjo është arsyeja pse unë i kushtoj kaq shumë rëndësi garancive." "Si do ta mbrojmë vijën (e ndarjes midis Ukrainës dhe Rusisë), nëse një vijë e tillë përcaktohet" në çdo marrëveshje të ardhshme paqeje, shtoi ai.
Kryeministri britanik ka deklaruar prej kohësh se një forcë paqeruajtëse evropiane, që do të vendoset në Ukrainë për të siguruar zbatimin e çdo marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës, do të duhet të marrë garanci sigurie nga SHBA.
"Unë kam qenë gjithmonë i qartë se do të kemi nevojë për mbulim amerikan, sepse nuk besoj se do të ketë garanci (për paqe) pa të," tha ai, duke folur për BBC. Starmer po mirëpret rreth 15 liderë të vendeve aleate të Kievit në Londër sot për një samit, tema e të cilit do të jetë siguria dhe Ukraina, si dhe garancitë që Evropa mund t'i ofrojë Kievit me synimin për t'i dhënë fund luftimeve.
“U ndjeva në siklet duke parë skenën në Zyrën Ovale”
Starmer iu referua takimit shpërthyes në Shtëpinë e Bardhë në intervistën e tij të premten, duke pranuar se nuk ndihej rehat duke parë konfrontimin . "Askush nuk dëshiron të shohë" një skenë të tillë, por "gjëja e rëndësishme është (...) si reagojmë... Mënyra e parë është të ashpërsojmë retorikën (...) tjetra është të bëj atë që bëra: domethënë, përvesha mëngët, mora telefonin" për të kontaktuar Zelensky dhe Trump.
Kryeministri britanik tha se ishte i bindur se Trump donte të arrinte një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, pavarësisht nga përplasja e tij me Zelensky të premten, gjatë së cilës ai i kërkoi presidentit ukrainas të largohej pasi e akuzoi atë se ishte mosmirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për ndihmën që i ka dhënë vendit të tij.
“Më duhet të them: Kam folur me Presidentin Trump disa herë. E kam takuar dy herë (...) Është e qartë në mendjen time se ai me të vërtetë dëshiron paqen që do të zgjasë. "Ai me të vërtetë dëshiron që luftimet në Ukrainë të përfundojnë," theksoi Starmer.
Pas bisedimeve intensive me dy liderët dhe partnerët e tjerë evropianë, Starmer vlerësoi se ishte "një hap në drejtimin e duhur". "Është shumë e rëndësishme të ruajmë qëllimin tonë qendror, që është një paqe e qëndrueshme në Ukrainë," theksoi ai.







