
Një ngjarje e rëndë mbrëmjen e së martës ka tronditur botën e boksit në Gjermani.
Kampioni i boksit Abu Y. (36 vjeç) ka ndërruar jetë nga hemorragjia e shkaktuar pas një sulmi me thikë të martën në stacionin e trenit Gesundbrunnen.
Vdekja e tij ka shkaktuar tronditje jo vetëm te familja dhe miqtë, por edhe në botën e boksit, e cila po vajton humbjen e një talenti të madh sportiv.
Ish-kampioni gjerman për të rinj dhe disa herë kampion i landit të Hessenit në kategorinë super të mesme dhe të peshës gjysmë të rëndë kishte zhvilluar nëntë ndeshje profesionale.

''Ai ishte një djalë i mirë dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, që me humorin e tij arrinte t’i bënte të gjithë të qeshnin“, – thotë trajneri i tij Hartmut Schröder (55) nga ekipi berlinez ëiking-Boxteam për gazetën BILD. Dhe shton: Është thjesht e pabesueshme, tragjike dhe shumë e trishtueshme.“
Abu Y. (emri i ringut: Abu, ujku) ishte një njeri që nuk kërkonte konflikte. Ai lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë të mitur. Autori i krimit është ende në arrati.
Hetimet e deritanishme të policisë kanë zbuluar se të martën në mbrëmje, boksieri profesionist është përfshirë në një përleshje me disa afganë në sheshin Hanne-Sobek, përpara stacionit të trenit Gesundbrunnen.
Sipas informacioneve të gazetës BILD, Abu Y. ishte së bashku me dy miq, kur shokët e tij u përfshinë në një konflikt me tre afganë. Boksieri ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe ka rrëzuar në tokë dy nga burrat afgan, ndërsa personi i tretë, sipas raportimeve, e ka goditur atë nga pas me thikë në qafë.
Tehu i thikës preu arterien kryesore të qafës dhe enën e gjakut pranë klavikulës. Edhe pse u krye një ndërhyrje urgjente në spital, Abu Y. nuk mundi të shpëtohej.

Sipas BILD, grindja dyshohet se ishte një luftë për territor brenda skenës së drogës. Zona përreth stacionit të trenit është një qendër tregtare. Për muaj të tërë, klanet arabe dhe çeçene, si dhe grupe të tjera etnike, si afganët, janë përfshirë në beteja të përgjakshme territoriale këtu.
Miqtë dhe kolegët sportivë të Abu Y. thonë se ai nuk kishte lidhje me qarqet kriminale. Divizioni i 8-të i Vrasjeve dhe Zyra e Prokurorit Publik të Berlinit po hetojnë rastin. Që atëherë janë intervistuar dhjetëra dëshmitarë dhe janë shqyrtuar pamjet e kamerave të mbikëqyrjes për të identifikuar autorin e krimit dhe burrat e përfshirë në grindje./Versus.al







