Sadiq Khan, kryebashkiaku i Londrës i cili njihet edhe për faktin se është kryebashkiaku i parë musliman i një shteti europian, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të presidentit të SHBA-ve Donald Trump, i cili u shpreh se në kryeqytetin britanik po zbatohet ligji i Sheriatit.
Khan e ka quajtur presidentin amerikan si “racist”, “seksist”, “mizogjinist” dhe “islamofob”.
Trump, gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA) në Nju Jork të martën, e quajti Khan një “kryebashkiak të tmerrshëm” dhe pretendoi se Londra dëshiron të kalojë në ligjin e Sheriatit.
“Njerëzit pyesin veten pse ky kryebashkiak mysliman, që drejton një qytet liberal, multikulturor, progresiv dhe të suksesshëm, duket se jeton pa qira në mendjen e Donald Trump. Mendoj se, siç e ka treguar vetë, Donald Trump është racist, seksist, mizogjinist dhe islamofob.”- u shpreh Khan.
Më herët, Bashkia e Londrës kishte deklaruar:
“Londra është qyteti më i madh në botë, më i sigurt se shumica e qyteteve amerikane, dhe jemi të lumtur që mirëpresim numrin rekord të qytetarëve amerikanë që po zhvendosen këtu.”
Në përgjigje të komenteve të Khan, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, tha për CNN:
“Kryebashkiaku Khan qartësisht vuan nga një formë e rëndë e ‘Sindromës së Fiksimit ndaj Trump’ dhe ka bërë një punë të tmerrshme si kryebashkiak. Politikat e tij të emigracionit pa kontroll dhe kufij të hapur kanë lejuar që krimi i dhunshëm të përhapet në qytetin e tij.”
Ligji i Sheriatit, i bazuar në Kuranin dhe jetën e profetit Muhamed, është një grup parimesh që udhëheqin jetën morale dhe fetare të myslimanëve, përfshirë çështje si lutja, financat, divorci apo ushqimi halal.
Sipas një dokumenti të qeverisë britanike të publikuar në vitin 2019, këshillat e Sheriatit kanë ekzistuar në Mbretërinë e Bashkuar që nga vitet 1980, dhe përdoren për të zgjidhur çështje martesore të myslimanëve sipas ligjit islam për familjen. Vendimet e tyre nuk janë ligjërisht të detyrueshme, pasi ato nuk kanë rol zyrtar ligjor apo kushtetues në Britani, sipas qeverisë. Versus.al







