Forcat ukrainase kanë përdorur systemin raketor amerikan HIMARS për të shkatërruar urat lundruese dhe pajiset inxhinierike në rajonin Kursk të Rusisë , duke synuar infrastrukturën logjistike në inkursionin e tyre madhor ndërkufitar, tha sot në një njoftim të saj ushtria ukrainase.
Zyrtarët rusë janë shprehur se Ukraina ka dëmtuar ose shkatërruar të paktën tre ura në lumin Sheim që kur Kievi nisi një ofensivë të madhe në brendësi të Rusisë perëndimore më 6 gusht, duke avancuar në një thellësi prej 28-35 kilometrash.
“Ku u “zhdukën” urat lundruese në rajonin e Kurskut? Operatorët... po i shkatërrojnë me saktësi”, njoftuan Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës në një postim në Telegram.
Ky është njoftimi i parë zyrtar nga Kievi se po përdor armët perëndimore gjatë ofensivës në tokën ruse.
Uashingtoni nuk ka komentuar drejtpërdrejt përdorimin e armëve të prodhuara nga SHBA në rajonin e Kurskut, duke thënë se politikat e tij nuk kanë ndryshuar dhe se Ukraina po mbrohet nga sulmet ruse.
Ndërsa aleatët e saj e kanë ndaluar Ukrainën të nisë sulme me armë perëndimore brenda Rusisë, ata e kanë lejuar Kievin t'i përdorë ato për të goditur zonat kufitare që kur Rusia filloi ofensivën e saj të re në rajonin e Kharkiv këtë pranverë.
Kremlini e ka karakterizuar përdorimin e armëve amerikane në tokën ruse si një përshkallëzim të situatës.
Videoja e postuar nga forcat speciale tregon sulme në disa rrugë ujore. Të paktën një nga sulmet duket se është kryer me municione thërrmuese.
Ndërsa Kievi ka raportuar një numër suksesesh në fushën e betejës që kur papritur kaloi në rajonin e Kurskut të Rusisë më 6 gusht, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi ditët e fundit se forcat e saj kishin marrë kontrollin e disa vendbanimeve në rajon, duke përfshirë Zelane dhe Sviridonifka.
Ushtria ukrainase nuk ka komentuar menjëherë mbi pretendimet, ndërsa thotë se luftime të ashpra po zhvillohen në rajon./Versus.al








