BOTA /

Vandalizuan objektet hebreje "me porosi të rusëve", arrestohen 3 serbë në Francë

Sipas autoriteteve, serbët u arrestuan ndërkohë që po përgatiteshin të largoheshin nga Franca

Shkruar nga Versus

 

Vandalizuan objektet hebreje "me porosi të rusëve",

Mediat franceze dhe gjermane raportojnë se autoritetet franceze kanë arrestuar tre shtetas serbë në qytetin bregdetar Juan-les-Pins, në Côte d’Azur, nën dyshimet për vandalizim të disa objekteve me rëndësi historike dhe kulturore në Paris gjatë fundjavës.

Të arrestuarit dyshohet se gjatë natës së së shtunës kanë spërkatur me bojë fasadën e Muzeut të Holokaustit, një restorant të njohur hebre në lagjen Marais, si dhe muret e jashtme të tre sinagogave. Pamjet nga kamerat e sigurisë i tregojnë duke vepruar në grup: një person veshur me të zeza, një tjetër duke spërkatur muret me bojë të gjelbër dhe i treti që filmonte aktin.

Sipas autoriteteve, serbët u arrestuan ndërkohë që po përgatiteshin të largoheshin nga Franca. Hetimet, të udhëhequra nga njësitë kundër ekstremizmit dhe krimeve të urrejtjes, janë mbështetur në analiza të bisedave telefonike, të dhëna celulare, si dhe dyshime për transaksione të dyshimta financiare.

Reagimet ndaj aktit kanë qenë të menjëhershme. Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau, dhe Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, e dënuan ashpër vandalizimin, duke e cilësuar si një akt antisemitik dhe destabilizues.

Ndërkohë, gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” raportoi se hetimet po shqyrtojnë motivacionin real të autorëve, si dhe mundësinë e përfshirjes së një fuqie të tretë, potencialisht Rusisë, në prapaskenë. Burime nga hetimi sugjerojnë se ky mund të jetë një tjetër episod i ndërhyrjeve të huaja për të nxitur përçarje dhe tensione në shoqërinë franceze, e cila prej 7 tetorit 2023 – datë e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit – është përballur me ndarje të theksuara në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme.

Franca, me një komunitet të madh hebre dhe mysliman, është veçanërisht e ndjeshme ndaj akteve që mund të nxisin urrejtje racore dhe fetare. Autoritetet theksojnë se nuk do të tolerojnë asnjë përpjekje për të importuar konfliktet ndërkombëtare në territorin francez.

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa të tre të dyshuarit ndodhen në paraburgim dhe pritet të dalin përballë gjykatës për akuzat e veprave me urrejtje, vandalizim me motive racore dhe pjesëmarrje në veprimtari të dyshimta ndërkombëtare. /Versus.al/

Poll