BOTA /

Verë e mosbindjes civile në Serbi

Pas tetë muajsh demonstratash paqësore, lëvizja protestuese në Serbi po ndryshon kurs. Kur dhuna policore shtohet, protestuesit gjejnë rrugë të reja rezistence.

Shkruar nga Versus

Verë e mosbindjes civile në Serbi

"Nuk do t'ju themi çfarë të bëni, sepse e dini vetë." Me këto fjalë, studentët në Beograd ia dorëzuan stafetën e rezistencës civile të gjithë shoqërisë serbe më 28 qershor 2025. Dorëzimi simbolik i pushtetit protestues u bë gjatë një proteste në të cilën ata i dhanë një ultimatum të qartë qeverisë së Presidentit Aleksandër Vuçiç: zgjedhje të parakohshme parlamentare ose mosbindje civile. Një fazë e re në protestat kundër qeverisë dhe korrupsionit në Serbi,  ku pati përleshje mes qytetarëve dhe policisë në kryeqytetin serb. Demonstruesit hodhën gurë dhe shishe, dhe forcat e sigurisë u përgjigjën me granata tymuese, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë oficerë policie që përdorin dhunën kundër protestuesve paqësorë.  Rasti i studentit Luka Mihajloviç nga Novi Sadi tërhoqi vëmendjen kudo. Sipas raportimeve, ai u hodh përtokë dhe u rrah pavarësisht se qëndronte i qetë me duart lart. Për shkak të lëndimeve, Mihajloviç u desh të dërgohej në spital. Por ndërsa priste për operacionin, një gjyqtar urdhëroi paraburgimin e tij pa një seancë paraprake dëgjimore. Nëna e gjeti atë në pranga në shtratin e spitalit, me roje dhe pa qasje në telefon.

Përndjekje e studentëve
Bllokimet e rrugëve përhapën nga Beogradi në të gjithë Serbinë të nesërmen. Qytetarët bllokuan spontanisht rrugët dhe kryqëzimet - disa ngritën barrikadame kontejnerë mbeturinash, të tjerë zunë vendkalimet për këmbësorë. Policia u përgjigj me dhunë. Qindra u arrestuan dhe shumë të plagosur. Profesorja e universitetit për biologji dhe aktiviste , Biljana Stojkoviç, ishte dëshmitare e një prej sulmeve më brutale të policisë ndaj studentëve që luanin volejboll në mënyrë paqësore gjatë një bllokade rrugore. "Mbërritën disa makina policie dhe brenda sekondave, oficerët e policisë u vërsulën me shkopinj në kryqëzim drejt studentëve. Ata ikën drejt fakultetit të drejtësisë", tha Stojkoviç për DW.

Pamjet nga ajo mbrëmje tregojnë policinë duke rrahur studentët, duke i zvarritur ata jashtë ndërtesës së universitetit dhe duke i arrestuar. "Ishte aq e tmerrshme sa gati më ra të fikët. Bërtita, godita me grushte mburojat e oficerëve të policisë, plotësisht e dëshpëruar, sepse skena ishte tepër brutale", kujton Stojkoviç.

Taktika e re demonstruesve
Që ditët e para të mosbindjes civile, u arrestuan mbi 300 qytetarë në Serbi. Numri i arrestimeve është rritur që atëherë, por nuk ka shifra zyrtare. Ministria e Brendshme në Beograd nuk iu përgjigj një pyetjeje të DW për këtë çështje. Midis të arrestuarve janë edhe minorenë, studentë, profesorë, mjekë, avokatë, aktivistë, politikanë dhe këshilltarë vendorë që i përkasin opozitës. Si reagim ndaj dhunës së policisë, studentët ndryshuan taktikat e protestër duke iu dredhuar forcave të sigurisë. Në vend që t'u rezistojnë policëve, ata shmangen ose e zhvendosin protestën e tyre në një kryqëzim tjetër sapo të mbërrijë policia. Ose thjesht ulen në hije ndërsa oficerët qëndrojnë roje në asfaltin e nxehtë, duke bllokuar një "bllokadë ndërkohë bosh".

"Ndërsa policia vepron brutalisht në disa qytete, situata është më e qetë në qytete të tjera", përmbledh Stojkoviç. "Megjithatë, policia po kontrollon intensivisht dhe pa shkak dokumentet e identitetit të njerëzve në trotuare, në rrugë dhe në bllokada. Brenda dy ditësh, këta njerëz raportohen për një shkelje." Stojkoviç beson se e gjithë kjo është pjesë e strategjisë së Presidentit Vuçiç. Ai e di se duhet të përmbahet nga dhuna e hapur për të shtypur protestat, pasi brutaliteti mund të shkaktojë reagime nga Bashkimi Evropian.

Deklarata zyrtare e Ministrisë së Brendshme luhatet midis thirrjeve për qetësi dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç deklaroi se bllokimi i arterieve kryesore të trafikut ishte i paligjshëm. "Të gjithë kanë të drejtë të angazhohen politikisht, por ka një kohë dhe vend për luftë politike."

Luajaliteti i policisë me pikëpyetje
Ndërkohë, gjithnjë e më shumë qytetarë po humbasin besimin, se policia vepron në mënyrë të ligjshme. Pakënaqësia po rritet edhe midis vetë forcave të sigurisë. Mbi 100 ish-oficerë dhe aktualë policie nënshkruan një apel të hapur drejtuar kolegëve të tyre për t'i rezistuar urdhrave të paligjshëm. Mes tyre është edhe Ugljesa Bokic, i cili u largua nga forcat policore në vitin 2023 dhe që atëherë punon si gazetar. Ai thotë se shumë oficerë policie nuk e mbështesin situatën aktuale. "Ligji i detyron ata të jenë në rrugë, por ata përballen edhe me një dilemë morale që bie ndesh me detyrat e tyre ligjore", tha Bokic për DW.

Dy oficerë në shërbim të intervistuar nga DW konfirmuan pakënaqësinë në rritje brenda forcës policore - veçanërisht në muajt e fundit. Megjithatë, kjo ndjenjë proteste aktualisht është e heshtur: "Ata thjesht psherëtijnë  me veten e tyre."

Vuçiq nuk ndryshon qëndrim: Nuk ka zgjedhje të reja
Pavarësisht protestave të vazhdueshme, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq vazhdon të refuzojë kategorikisht zgjedhjet e reja. Zgjedhjet në Serbi nuk do të zhvillohen deri në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, deklaroi ai. "Nuk kalojnë pesë ose gjashtë orë pa menduar për zgjedhjet. Unë jam një kafshë politike - jetoj për të, 24 orë në ditë. Por duhet ta kuptoni se ka gjëra më të rëndësishme se zgjedhjet - domethënë, vendi juaj, Serbia juaj", tha Vuçiq.

Megjithatë protestat nuk ka gjasa të ndalen. Ato po organizohen në pothuajse çdo qytet, po ngrihen barrikada spontane dhe qytetarët po organizohen me turne, si të përgatiten për një rezistencë të zgjatur. "E vetmja rrugëdalje nga kjo krizë - si sociale ashtu edhe politike - janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare", thotë Biljana Stojkoviç. Vendi tashmë gjendet në udhëkryq dhe nëse gjërat vazhdojnë kështu, zgjedhjet do të bëhen të pashmangshme. "Vetë Vuçiç po përgatit një strategji daljeje për veten", është e bindur Stojkoviç. Ai ka themeluar grupin studentor, i cili vepron për rreth dhjetë ditësh nën emrin "Studentët për Serbinë", ata kërkojnë ndërprerjen e bllokadave, arrestimin e aktivistëve dhe zgjedhje të reja. Për qytetarët në rrugë, zgjedhjet janë vetëm kërkesa minimale. Dhe presioni sapo ka filluar, thotë Stojkoviç. Hapi tjetër në përshkallëzimin e mosbindjes civile: bllokimi i autostradave. DW

Poll