Papa Leo XIV kremtoi meshën e Corpus Christi në Plaza de Cibeles, në ditën e dytë të vizitës së tij shtatëditore në Spanjë, duke mbledhur një numër rekord besimtarësh në kryeqytetin spanjoll
Sheshi dhe rrugët përreth u mbushën me turma të mëdha njerëzish, ndërsa shumë të tjerë mbetën jashtë perimetrit të sigurisë për shkak të pjesëmarrjes së lartë. Sipas organizatorëve, rreth 1.2 milionë persona morën pjesë në meshë dhe në procesionin që pasoi ceremoninë fetare, duke e kthyer aktivitetin në një nga grumbullimet më të mëdha fetare të viteve të fundit në Spanjë.
Atmosfera u elektriza në momentin kur Papa mbërriti në shesh me papamobilen, mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të mijëra besimtarëve. Të pranishmit valëvitnin flamuj dhe përdornin telefonat celularë për të fotografuar momentin, ndërsa nga turma dëgjoheshin thirrje mbështetëse si: “Kjo është rinia e Papës”.

Një nga momentet më spektakolare të ceremonisë ishte procesioni mbi tapetet tradicionale të krijuara me petale lulesh, një traditë që në Spanjë ruhet prej më shumë se 200 vitesh. Për këtë rast, floristë nga Galicia realizuan 16 tapete dekorative përgjatë një itinerari prej rreth 500 metrash.
Për përgatitjen e tyre u përdorën mbi 30 mijë lule, kryesisht në ngjyrat e verdhë dhe të bardhë të flamurit të Selisë së Shenjtë. Tapetet përmbanin motive dhe simbole fetare, mes tyre edhe çelësat e Vatikanit, duke i dhënë ceremonisë një dimension të veçantë artistik dhe shpirtëror.
Në predikimin e tij, Papa Leo XIV vlerësoi traditën spanjolle të procesioneve fetare, duke theksuar se ato përfaqësojnë një dëshmi të gjallë të besimit dhe jo thjesht një trashëgimi kulturore.
“Kjo nuk është një ekspozitë, as një mbetje folklori dhe as një shfaqje bukurie. Është një dëshmi besimi në praninë e Krishtit të ringjallur, i cili vazhdon të ecë mes nesh”, deklaroi Ati i Shenjtë.
Papa u ndal gjithashtu te roli që feja ka luajtur në historinë e Spanjës, duke bërë thirrje që kjo trashëgimi të ruhet si një vlerë e gjallë për brezat e ardhshëm.
“Në këtë qëndron misioni i Spanjës sot dhe në të ardhmen: që besimi që e ka formësuar këtë vend për shekuj të mos mbetet një muze i së kaluarës, por një shkollë besimi nga e cila mund të frymëzohen edhe brezat e sotëm”, tha ai.
Në fund të ceremonisë, Papa mbajti në duar monstrancën e artë me hostien e shenjtë dhe eci mbi tapetet me lule, ndërsa fëmijët hidhnin petale përpara tij. Nga të dyja anët e rrugës, besimtarët vazhdonin të mbulonin itinerarin me lule, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese.
Interesi për vizitën e Papa Leos ishte shfaqur që në mbrëmjen e së shtunës, kur sipas organizatorëve rreth 600 mijë të rinj morën pjesë në një vigjilje lutjeje në Madrid. Gjatë takimit, pjesëmarrësit qëndruan për disa minuta në heshtje të plotë së bashku me Papën, në një moment që u cilësua simbolik për unitetin dhe reflektimin shpirtëror.
Gjatë mesazhit drejtuar të rinjve, Papa i inkurajoi ata të mos kenë frikë të zgjedhin rrugën e shërbimit fetar dhe të angazhohen më shumë në jetën e Kishës.
Vizita e Leo XIV është e para e një Pape në Spanjë pas 15 vitesh dhe vjen në një periudhë kur vendi po përballet me një rënie të vazhdueshme të praktikimit të fesë.Versus.al

