
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se duhet të punohet edhe më shumë që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur ndaj Kosovës.
Gjatë një konference për media në Prishtinë, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shefja e KE-së tha se blloku evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës për hapjen e pikës kufitare në Merdarë për mallrat nga Serbia.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjodo të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha von der Leyen.
BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është koha e fundit që të largohen masat ndëshkuese të BE-së, duke përsëritur qëndrimin e saj se këto masa janë të padrejta.
Von der Leyen po ashtu përgëzoi Kosovën në punën që ka bërë në agjendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, duke thënë se deri para përfundimit të vitit, Kosova do të përfitojë 60 milionë euro nga kjo paketë.
Zyrtarja e lartë evropiane tha se gjatë mandatit të dytë në krye të KE-së, zgjerimi i BE-së do të mbetet top-prioritet i saj.
Ajo tha se dëshiron që në të ardhmen, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e bllokut evropian.
Gjatë vizitës në Kosovë, von der Leyen do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e zyrtares evropiane në Prishtinë është në kuadër të një turneu ballkanik që ajo nisi më 23 tetor në Shqipëri. Pas Shqipërisë, ajo qëndroi në Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Në Serbi, ajo u takua vetëm me presidentin Aleksandar Vuçiq, teksa anuloi takimin me kryeministrin serb, Millosh Vuçeviq.
Zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer, tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e anulimit ishte se Vuçeviq po të njëjtën ditë ishte takuar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar Serbinë për lidhjet e ngushta me Kremlinin, teksa Moska po vazhdon luftën kundër Ukrainës. Beogradi po ashtu nuk pranon të rreshtohet përkah BE-së, sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës kundër Ukrainës.
Ndryshe, sipas KE-së, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që Bashkimi Evropian po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Më herët, Bashkimi Evropian i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes. Më pas agjendat u votuan edhe nga KE-ja, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës.
Plani i Rritjes është në vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.
Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi shteti do të përfitojë më shumë se 820 milionë euro.
Von der Leyen përmbyll turneun ballkanik më 26 tetor në Mal të Zi. REL








