
Pas 25 vitesh burg dhe 4 vitesh nën mbikëqyrje, një nga bosët më famëkeq të Cosa Nostras, Giovanni Brusca, është tani zyrtarisht i lirë. Ai është personi që shtypi butonin e telekomandës më 23 maj 1992, duke shkaktuar shpërthimin që vrau gjyqtarin antimafia Giovanni Falcone, bashkëshorten e tij Francesca Morvillo dhe tre oficerë të eskortës.
Brusca është përgjegjës për rreth 150 vrasje, dhe për këtë arsye është quajtur një nga figurat më të përgjakshme të mafies italiane.
Reagon Maria Falcone: “Dhimbje dhe hidhërim i thellë”
“Siu qytetare dhe si motra e Giovanni Falcones, nuk mund të fsheh dhimbjen dhe hidhërimin e thellë që ky moment e risjell. Por si një grua e institucioneve, ndjej detyrimin të them me forcë se kjo është ligji,” – u shpreh Maria Falcone.
Ajo kujtoi se ligji për bashkëpunëtorët e drejtësisë, nga i cili përfitoi edhe Brusca, ishte një iniciativë që vetë Giovanni Falcone e mbështeti fort si një mjet thelbësor për të çmontuar mafian nga brenda. Maria theksoi se, megjithëse i liruar, Brusca ka kontribuar me dëshmitë e tij në dëm të Cosa Nostras.
Ku do të jetojë
Pas lirimit të tij nga burgu, Giovanni Brusca do të jetojë larg Siçilisë, nën identitet të rremë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve, për të shmangur rrezikun e hakmarrjes dhe për të ruajtur sigurinë.
Pse është i lirë
Në fund të muajit maj, përfunduan katër vitet e lirisë me kusht që i ishin vendosur nga gjykata e mbikëqyrjes. Ky ishte borxhi i fundit ligjor që Brusca kishte ndaj drejtësisë. Ai është përgjegjës për dhjetëra vrasje, por pas arrestimit, edhe pse fillimisht bëri një pendesë të rreme, më pas bashkëpunoi me drejtësinë, çka i dha të drejtën e përfitimit nga ligji për të penduarit.
“Një kriminel, edhe pse i lirë”
“Brusca është i lirë? S’kam asgjë për të thënë, veçse ligji është zbatuar. Por po them vetëm një gjë: edhe si njeri i lirë, ai mbetet një kriminel,” u shpreh gjyqtari Alfredo Morvillo, vëllai i Francesca Morvillo, e vrarë në atentatin e Capacit së bashku me Giovanni Falconen.
Kush është Giovanni Brusca
Giovanni Brusca, krye-drejtues i zonës së San Giuseppe Jato, u arrestua më 20 maj 1996 në Cannatello, një fshat bregdetar i komunës së Agrigentit. Gjatë karrierës së tij kriminale, Brusca – i njohur edhe si “ekzekutori i besimtarëve” – është përgjegjës për një seri krimesh të tmerrshme, duke u bërë një nga kriminelët më të kërkuar deri në kapjen e tij.
Masakra e Capacit dhe vrasja e vogëlushit Giuseppe Di Matteo
Përveç masakrës së Capacit, Brusca konsiderohet përgjegjës për organizimin e masakrës në rrugën D’Amelio, për atentatet e vitit 1993 në Milano, Romë dhe Firence, si dhe për urdhrin e rrëmbimit dhe vrasjes së vogëlushit Giuseppe Di Matteo – i cili qëndroi i burgosur për 779 ditë, u vra dhe u tret në acid për hakmarrje ndaj bashkëpunimit të babait të tij me drejtësinë, mafiozit Santino Di Matteo. Vetë Brusca ka pranuar disa herë se ka urdhëruar ose marrë pjesë në mbi njëqind vrasje.
Bashkëpunëtor i drejtësisë
Pas arrestimit, ai vendosi të largohej nga rradhët e Cosa Nostra-s dhe të bashkëpunonte me shtetin si bashkëpunëtor i drejtësisë. Ai zbuloi prokurorëve operacionet që organizuan masakrën e Capacit dhe vrasjen e vogëlushit Di Matteo, duke dhënë informacion të çmuar për rindërtimin e komandës së korleonezëve të Totò Riina-s.
Më tej, Brusca sqaroi lidhjet midis mafies dhe politikës, përfshirë ndryshimin e strategjisë së Cosa Nostra në zgjedhjet e viteve 80, kur Riina, në kulmin e Maxiprocesit, u largua nga Partia Demokristiane dhe mbështeti Partinë Socialiste, si dhe lidhjet e mafies me Forza Italia. Ai ishte gjithashtu i pari që foli për “Marrëveshjen Shtet-mafi”, një ftesë për dialog që oficerët e ROS i dërguan udhëheqësve të Cosa Nostra midis vrasjeve të Falcone-s dhe Borsellino-s./Versus.al







