
SHBA- Personi i dyshuar për vrasjen e senatores demokrate dhe të burrit të saj në Minesota, është arrestuar nga policia gjatë ditës së dielë ku u gjet në një pyll pranë banesës së tij.
Vance Boelter akuzohet për vrasjen e senatores dhe burrit të saj dhe 2 tentativa të tjera vrasje. Ai akuzohet se është paraqitur si oficer policie dhe ka vrarë me armë zjarri ish-kryetaren demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve Melissa Hortman dhe bashkëshortin e saj, Mark, në shtëpinë e tyre herët të shtunën në periferitë veriore të Minneapolis. Autoritetet thonë se ai qëlloi gjithashtu senatorin John Hoffman, një demokrat, dhe gruan e tij, Yvette. Ata u plagosën në rezidencën e tyre rreth 9 milje (rreth 15 kilometra) larg.
"Veprimet e paimagjinueshme të një burri kanë ndryshuar shtetin e Minesotës," tha guvernatori demokrat Tim Ualz në një konferencë shtypi pas arrestimit të Boelter.
“Kërkimi për Boelter ishte më i madhi në historinë e shtetit” tha shefi i policisë së Brooklyn Park, Mark Bruley. Filloi kur oficerët e Brooklyn Park shkuan të kontrollonin shtëpinë e Hortman dhe panë burrin e saj të qëlluar për vdekje përpara se autori të ikte.
Autoritetet të dielën gjetën një automjet që Boelter po përdorte të braktisur në zonën rurale të Qarkut Sibley, ku ai jetonte, dhe një oficer policie raportoi se besonte se e pa Boelterin duke vrapuar drejt pyllit, tha Bruley. Policia ngriti një perimetër të madh dhe thirri 20 ekipe të ndryshme taktike, duke ndarë zonën dhe duke e kërkuar atë.
Gjatë kontrollit, policia tha se mori informacione që konfirmonin se dikush ishte në pyll dhe kontrolloi për orë të tëra, duke përdorur një helikopter dhe oficerë, derisa gjeti Boelterin. Versus.al







