
Versus.al ka mësuar detaje rreth dosjes hetimore lidhur me aksionin e zhvilluar nga SPAK disa ditë më parë ku u goditën persona të grupit të drejtuar nga Franc Çopja në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.
SPAK ka në fokus të hetimeve dy ngarkesa të mëdha me drogë, 11.6 ton kokainë të transportuara nga Paraguaji në Belgjikë dhe 16.4 ton kokainë e transportuar për në Gjermani. Vlera e tyre përllogaritet të jetë deri në miliarda euro.
Pjesë e rëndësishme e zinxhirit që vinte në funksion grupin që transportonte drogë nga Amerika Latine, ishte Ervis Çela i cili merrte porositë nga të akuzuarit e tjerë, Fadil Balla i njohur si Jul Balla apo “shijaksi” në bisedat e bëra, apo Franc Çopjas. Në dosje tregohet se Ervis Çela dhe vëllai i tij Ardjan Çela të dy të shpallur në kërkim me kartelë të kuqe për shkak të një vrasje që kishin kryer.
Dosja voluminoze zbardh edhe qindra mijëra sms të shkëmbyera mes trafikantëve dhe nofkat e personave të përfshirë në trafik. Ardjan Çela rezulton të jetë një pikë kyçe e kësaj veprimtarie kriminale pasi jetonte në Paraguaj dhe sigurohej për të gjitha detajet mbi nisjen e ngarkesës së kokainës.
Në një prej bisedave të zbardhura mes dy vëllezërve Ervis dhe Ardjan Çela përmendet edhe Fadil Balla pronari i resortit luksoz “Ajmani” i cili u detyrohej një shumë të konsiderueshme parash prej 7 milionë eurosh.
Ervisi pyet vëllain e tij nëse tashmë e ka grumbulluar shumën e dyshuar prej 15 milionë eurosh. Në këtë bisedë Ervis Çela shprehet gjithashtu se ka shuma të konsiderueshme parash në Holandë, por nuk ka shoferë për t’i transportuar deri në Shqipëri.
Më 10 shtator të 2020-ës, Ervis Çela komunikon me Fadil Ballën të cilit i shkruan “Me ke nja 600 S më shumë tani… A më the fut 110 copa… Dhe un i futa… Sta prish qefin” dhe në vijim i dërgon një fotografi me shënime detyrimesh. Ervisi vijon bisedën duke i dërguar mesazhet me tekst “Ti s’ke më shtëpi ku me fli lekët… Ahahahahaha. Janë mush plot…”
Në tetor të 2020-ës, Ervisi kontakton me vëllain e tij Ardjanin të cilin e pyet nëse e kishte apo jo të vështirë të administronte një shumë prej 20 milionë dollarësh në Paraguaj. Ndërsa e vë në dijeni se Franc Çopja do të dorëzojë në Shqipëri një shumë e cila dyshohet të ketë qenë 1 milionë euro. Sipas Ervisit, Franci jo vetëm që kishte shlyer të gjitha detyrimet, por kishte kredituar shumën prej 2 milionë dollarësh. Ndërsa për Fadil Ballën, Ervisi e informon vëllain e tij Ardjanin se e kishte akumuluar një detyrim financiar prej 7.3 milionë eurosh. Nga biseda duket se Ervisi është shumë pranë vendimit për të mos e furnizuar më me drogë Jul Ballën. Versus.al






