Si të mos mjaftonin problematikat e tjera, siguria ushqimore mbetet hall më vete në Shqipëri dhe duket sikur nuk ka zgjidhje. Problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e ekspertizës dhe kontrolleve për të gjetur në kohë rekord shkeljet në këtë sektor, por edhe tek mungesa e besimit që ka zënë vend tanimë tek qytetarët.
Thënë kjo, kur flasim për mungesën e besimit, qytetarët janë të fundit që mund të fajësohen. Duke marrë në shqyrtim një rast konkret të ndodhur në maj të këtij viti, kur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) hoqi nga tregu disa lloje biskotash të rrjetit të dyqaneve “Rossman&Lala”, detajet “të diktojnë” dyshimet mbi shkeljet e përsëritura të këtij biznesi.
Biskotat me myk dhe qumështi pluhur me baktere për bebet
Në janar të këtij viti, u ngrit alarmi për bakteret e rrezikshme në qumështin pluhur të bebeve që rrezikonte të shkaktonte sëmundje gastrointestinale. Ky produkt i prodhuar nga Nestle, tregtohej nga “Rossman&Lala” në Shqipëri. Në total 744 kuti me këtë qumësht u konsumuan nga foshnjat e vendit tonë dhe Kosovës, ndërsa mijëra kuti të tjera u tërhoqën nga tregu.
Sërish më 20 maj, AKU njoftoi tërheqjen e biskotave “EnerBio Dinkel” dhe “Waffeln Natur”. nga tregu për shkak të zbulimit të toksinave të mykut. Kërkesa u bë nga vetë kompania “Dirk Rossmann GmbH” në Gjermani.
Gënjeshtrat që minojnë besimin
Në kuadër të këtyre rasteve të përsëritura të shkeljeve, Versus.al u interesua pranë kompanisë Rossmann & Lala lidhur me masat e marra për garantimin e sigurisë së produkteve që tregtojnë në vendin tonë. Mirëpo që në fillim të përgjigjieve të dërguara për redaksinë tonë, u hasëm me të pavërteta.
Teksa kishim cekur në hyrje informacionet e publikuara në media për gjobat ndaj këtij biznesi, në përgjigjien e “Rossmann&Lala” mohohej diçka e tillë duke pretenduar se kompania nuk ishte gjobitur asnjëherë për tregtim të produkteve ushqimore të kontaminuara.
“Kompania Rossmann & Lala asnjëherë nuk ka marrë gjobë për tregtim të produkteve ushqimore të kontaminuara. AKU për rastet e "tërheqjeve nga shitja" është njoftuar gjithmonë nga personat përgjegjës në kompaninë tonë. Në rastin e tërheqjes nga shitja të qumështit formulë për fëmijë, duke qënë se nuk percaktohej në urdhër tërheqje numri i Lot Rossmann & Lala ka larguar të gjitha kodet EAN duke paraqitur 0 risk përsa i përket përdorimit të produktit ne vijim”- thuhet në përgjigjie.
Por çfarë thotë AKU?
“Nga verifikimet e kryera, rezulton se përgjatë vitit 2026, ndaj subjektit “Rossman & Lala” (në të gjitha adresat ku ky subjekt ushtron aktivitet), janë marrë në total 17 (shtatëmbëdhjetë) masa administrative “Gjobë”- thuhet në reagimin e institucionit shtetëror për Versus.al duke konfirmuar atë çfarë thamë më sipër, mungesën e sinqeritetit që sjell më pas edhe minimin e besimit të publikut. Pra mesatarisht kompania është gjobitur rreth 3 herë për çdo muaj që nga fillimi i vitit.
Gjurmueshmëria e produkteve me probleme
Kompania pretendon se veprimet e tyre në raste të produkteve të kontaminuara janë të menjëhershme duke patur prioritet mbrojtjen e qytetarëve.
“Për këtë arsye, në çdo rast kur ka njoftime për “tërheqje nga shitja” të produkteve, Rossmann & Lala vepron menjëherë dhe në mënyrë transparente, duke zbatuar në kohë çdo procedurë të kërkuar dhe duke informuar klientët dhe institucionet përgjegjëse me prioritet maksimal mbrojtjen e konsumatorit. Transparenca, reagimi i shpejtë dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare janë elementë kyç të mënyrës sonë të operimit. Besimi që klientët kanë ndërtuar ndër vite ndaj Rossmann & Lala lidhet pikërisht me cilësinë, sigurinë dhe standardet e produkteve që ne ofrojmë çdo ditë në treg”- thotë ‘Rossmann Lala’.
Por sërish një pretendim i tillë nuk duket i mbështetur në veprime e fakte konkrete. Sepse sipas përgjigjies së AKU, 17 gjobat brenda 2026-ës lidhen me problematikat e gjurmueshmërisë së produkteve me probleme.
“Nga inspektimet e ushtruara pranë subjektit, në kuadër të njoftimeve të ardhura nga sistemi i njoftimeve alert ‘RASFF’, rezulton se është konstatuar problematika në sistemin e gjurmueshmërisë, për të cilën janë marrë edhe masat administrative të lartëpërmendura”- thotë AKU.
Ndërsa kompania dhe AKU sigurojnë se janë marrë masat e nevojshme për shmangien e rasteve të tilla, besimi i thyer tek qytetarët, vështirë të ‘ngjitet’ më. Versus.al

