
Në media qarkulloi disa ditë më parë një video ku shfaqej një vajzë bionde e cila kishte hyrë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Raste të ngjashme të ndodhura në këtë burg, po hetohen prej një viti nga Prokuroria e Elbasanit që ka sekuestruar edhe pamjet filmike.
Gazetari Elton Qyno ka zbuluar se vajza që ka hyrë në burgun e Peqinit është A.M. Por bëhet fjalë për një vizitë të saj në muajin prill të vitit 2025, në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Gjithashtu është zbuluar se videoja, ku A.M shihet e veshur me një fustan të zi duke u shoqëruar nga një punonjëse policie, është filmuar nga një punonjëse edukatore sociale e burgut. Ndaj kësaj të fundit kanë nisur procedurat e masës disiplinore.
Mes të tjerash gazetari Qyno raporton se hetimet po vijojnë pasi ka dyshime se A.M në ditë të ndryshme ka patur takim me të dënuarit L.D dhe R.Rr që ndodhen të izoluar në burgun e Peqinit.
Hyrja në burgjet e sigurisë së lartë e vajzave të showbiz pa lidhje familjare me të dënuarit, u kthye në temë tejet të përfolur gjatë periudhës para dhe pas zgjedhjeve të 11 majit 2025. Hetimet kanë nisur që pasi u zbulua rasti flagrant i hyrjes për takim special mes të dënuarit me burg përjetë, Laert Haxhiu dhe modeles nga Kosova Z.P për të cilën po verifikohen 17 procedura hyrje-dalje. Versus.al

