
Prokuroria e Posaçme zhvilloi ditën e djeshme një aksion kundrejt disa personave të përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine. Operacioni erdhi si pasojë e zbardhjes së përgjimeve në aplikacionin e përdorur nga krimi “Sky Ecc” ku zbardhet roli i personave të ndryshëm në aktivitetin kriminal.
Në total u lëshuan 16 masa sigurie, prej të cilave u ekzekutuan 10, ndërsa 6 persona janë në kërkim. Bëhet fjalë sërish për goditje ndaj grupit kriminal të vëllezërve Hajdar e Franc Çopja, të cilët konsiderohen tashmë si krerët e një prej organizatave më të fuqishme të trafikut të kokainës në Evropë.
Në Shqipëri janë arrestuar 7 persona, konkretisht: Ervis Çela dhe vëllai i tij Ardian Çela, Renato Musa, Gert Çerma, Petrit Lakatos, Mariglen Kamami dhe Elidon Çela. Kreu i organizatës Franc Çopja alias Gegeli ndodhet i arrestuar në Belgjikë. Ndërsa Ditjon Pepës nga Elbasani dhe Kujtim Gjylës nga Lushnja u është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Dyshohet se roli i tyre ishte transporti i parave të aktivitetit kriminal për në Shqipëri.
Në kërkim janë shpallur Denis Daja, Vilson Pepa, Fadil Alias Julian Balla, Miklovan Mullai dhe Riza Çela. Si pasojë e kontrolleve që u ushtruan në Elbasan, Durrës dhe Tiranë u gjetën dhe sekuestruan mbi 111 mijë euro cash dhe shuma dollarësh.
Sipas prokurorëve të SPAK që e ndjekin këtë çështje Altin Dumani dhe Vladimir Mara, organizata e Çopjave ndikonte çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe sipas tyre është një prej më të fuqishmeve në këtë veprimtari kriminale.
“Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe për të menaxhuar sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohore. Fuqia financiare e lartë e kësaj organizate, strukturimi dhe organizimi i një niveli shumë të lartë si dhe aftësia për të rikuperuar humbjet që vinin nga sekuestrimet e dallojnë atë nga grupet e tjera kriminale të hetuara nga SPAK”, janë shprehur dy prokurorët e SPAK.
Funksionimi i organizatës dhe trafikut të drogës
Prokuroria e Posaçme ka dalë në përfundimet se krahas Franc Çopjas, edhe Ervis Çela njihej si drejtues i organizatës pasi së bashku me vëllain e tij siguronin kokainën direkt nga prodhuesit në Amerikën Latine. Të dy qëndronin në Paraguai gjatë kësaj kohe.
Droga kishte mbishkrime të markave tregtare si “Fox” apo “Puma” dhe fshihej në kuti sapuni apo në kontejnerë me materiale ndërtimi. Pasi ngarkoheshin në Amerikën Latine, dërgoheshin drejt vendeve më të pasura të BE.
Në episodet e zbardhura të trafikut të kokainës përmenden trafikimi i 11.6 ton kokainë në kuti sapuni nga Paraguaj në Belgjikë më 4 nëntor të 2020-ës, trafikimi i 16.4 ton kokainë e fshehur në bomola me bojë në Hamburg më 12 shkurt të 2021-it. Vlera e drogës kapte shifrat e 3.5 miliard eurove.
Pastrimi i parave
Siç përmendet tashmë rëndomtë, pastrimi i parave të pista të ardhura nga trafiku i drogës bëhej nëpërmjet investimeve në ndërtimin e vilave apo resorteve të ndryshme. Grupi përdorte shoferët e autobusëve për të transportuar shumën e parave “cash” të cilët merrnin 2% tarifë për ta kryer këtë shërbim.
Pronat e sekuestruara
14 pasuri të ndryshme nën pronësi të anëtarëve të këtij grupi kriminal janë vendosur nën sekuestro me urdhër të GJKKO. Mes tyre jaën edhe resorti gjigand i “Ajman Park” në Shijak të Durrësit ku përfshihen restorant, bar, hotel. Gjithashtu është sekuestruar edhe një vilë me vlerë 1 milionë euro në Dhërmi si dhe një tjetër vilë në Tiranë. Vila në Dhërmi dhe resorti “Ajman Park” janë në pronësi të Julian Ballës, presidentit të klubit të futbollit “Erzeni”.







