BOTA /

Vuçiç mban fjalimin e paralajmëruar dhe ka 7 kërkesa për Kosovën: Do nisim një fushatë globale diplomatike për plotësimin e tyre

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka nisur fjalimin e tij “të rëndësishëm”, për të cilin mediat serbe thanë një ditë më parë se do të shpallë veriun e Kosovës "tokë të pushtuar".

Shkruar nga Versus

Vuçiç mban fjalimin e paralajmëruar dhe ka 7 kërkesa

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka nisur fjalimin e tij “të rëndësishëm”, për të cilin mediat serbe thanë një ditë më parë se do të shpallë veriun e Kosovës "tokë të pushtuar".

Lideri serb e nisi fjalën e tij me deklaratën se Serbia në ditët e sotme është në një situatë aspak të lehtë, duke shtuar se Kosova dhe Metohija është fjala më e dashur për çdo serb.

"Askush nuk do të jetë i kënaqur kurrë, çfarëdo që të propozonim, të gjithë do të ishin kundër. Ata që thërrasin për armë ditën e parë i thërrasim të mos e rregullojnë shtratin në kazermë, do të thoshin se është e vështirë.

Ata që flasin për pavarësinë e Kosovës do t’u thoja se jeni tradhtarë.

Masat që kemi marrë nuk janë të lehta, kërkojnë përpjekje, punë, përballje me rezistencë. Shqiptarët panë dritën në fund të tunelit kur filluan goditjet.

Ata prisnin momentin e tyre, ne nuk kuptonim gjithçka që po ndodhte në botë dhe për këtë paguam një çmim të lartë. Paguam një çmim tragjik", tha Vuçiç.

Shtatë kërkesat e Serbisë

E para është shpallja dhe mbajtja e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe kontrollin e Bashkimit Evropian.

Serbia kërkon kthimin e serbëve në drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës për Veri. Kjo, siç u theksua, do të zbatonte nenin 9 të Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013.

Serbia gjithashtu kërkon kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në pozitat gjyqësore.

Kërkohet edhe tërheqja e forcave speciale të policisë së Kosovës nga “bazat dhe postblloqet e ndërtuara ilegalisht” në veri të Kosovës.

Kërkohet edhe tërheqja e tyre nga të gjitha institucionet “që ofronin shërbime jetike publike dhe administrative për qytetarët nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme të tyre në vitin 2024”.

Beogradi kërkon gjithashtu formimin “urgjent, të menjëhershëm dhe përfundimtar” të  Asociacionit të Komunave me shumicë serbe “pa lojëra të mëtejshme politike”.

“Sepse neve e kemi të qartë se për 12 vjet ka qenë vetëm një lojë që është përdorur për të fituar kohë, me qëllim që Asociacioni të mos formohet kurrë dhe të hiqen të gjitha të drejtat e serbëve përveç kësaj”, thuhet ndër kërkesat që iu shpërndanë mediave para fjalimit të Vuçiqit, raporton REL.

Gjithashtu kërkon “zbatimin e menjëhershëm të garancive të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së nga 28 dhjetor 2022 dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të cilët janë arrestuar nga policia e Kosovës për “aktivizimin e tyre demokratik, qytetar apo politik, veçanërisht ata që u arrestuan për pjesëmarrje në protesta/barrikada paqësore”.

Serbia kërkon gjithashtu ofrimin e “menjëhershëm” të transaksioneve të pagesave të papenguara dhe shërbimeve postare në dinarë.

Këto kërkesa, siç u tha, do të përcillen në aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare në kuadër të sistemeve të OKB-së dhe OSBE-së, si dhe në “ngritjen e vetëdijes për shkeljen e të drejtave të njeriut të serbëve brenda Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut”

Siç theksohet, ky është “parakusht i domosdoshëm për një përparim të kuptimshëm” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas dokumentit, Beogradi do të nisë, “fushatë globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave.

Pak para adresimit të Vuçiqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia, në vend që të pendohet për krimet që ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka vendosur të përsërisë kërcënime dhe ultimatume ndaj Kosovës, në koordinim me Rusinë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovë është “tejet dëshpëruese”, por që Kosova nuk trembet nga kërcënimet.

“Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

 

 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: