
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka shprehur keqardhjen për votën pozitive të vendit të tij në deklaratën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së , e cila rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën dhe respektimin e integritetit të saj territorial.
Deklarata e hartuar nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë me rastin e përvjetorit të tretë të fillimit të pushtimit rus, u miratua me 93 vota pro, 18 kundër dhe 65 abstenime.
"Unë mendoj se Serbia ka bërë një gabim duke votuar pro deklaratës, unë u kërkoj falje qytetarëve për këtë, është faji im", tha Vuçiq për një kanal televiziv privat serb . Ai theksoi se Serbia duhet të abstenojë, siç bëri gjatë votimit të deklaratës së propozuar nga SHBA.
Serbia ka refuzuar shpeshherë të rreshtohet me politikën e jashtme të BE-së dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë.
Udhëheqja e saj politike ka deklaruar se mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por shmang dënimin e hapur të pushtimit rus./Versus.al








