
Gjermani- Në qytetin e Këlnit është kryer evakuuimi më i madh i banorëve që prej Luftës së Dytë botërore për shkak të zbulimit të tre bombave të pashpërthyera të hedhura nga forcat ajrore amerikane 80 vjet më parë.
Rreth 20 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e bizneset e tyre për shkak të sigurisë. Tre ura mbi Rajn janë mbyllur dhe trafiku hekurudhor është ndaluar apo devijuar.
Shkolla të shumta, kopshte, muze dhe rrjeti i tramvajit, si dhe shtëpia e orkestrës filarmonike të qytetit, janë detyruar të mbyllen pasi i gjithë qyteti i vjetër vu nën rrethim.
Madje edhe transmetuesi “RTL” u detyrua të zhvendosë programet e tij të lajmeve në studiot në Berlin, pasi ndërtesa e tij në Këln ndodhet brenda zonës së evakuimit me një rreze prej rreth 1,000 metrash.
Bombat do të çaktivizohen sot. Ato janë bomba të prodhuara në SHBA, dy prej 1,000 kg dhe një prej 500 kg. Ato u zbuluan të hënën në bregun e djathtë të lumit Rain gjatë punimeve ndërtimore pranë fabrikës së anijeve Deutz. Të treja janë të pajisura me fitil impakti që synojnë të shkaktojnë shpërthim në kontakt me një sipërfaqe të fortë.
Policia dhe autoritetet e tjera do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme për të njoftuar banorët dhe fqinjët e tyre në mëngjes para se të nisin çaktivizimet e bombave.
Tendat dhe objektet e tjera si palestrat sportive dhe kishat jashtë zonës së evakuuar do të jenë të hapura për t'u ofruar njerëzve ushqim, pije freskuese dhe mbështetje.

Tetëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës së dytë botërore, gjetje të tilla ende nuk janë të pazakonta në Këln, i cili ishte ndër qytetet më të bombarduara të Gjermanisë gjatë konfliktit. Ai u godit në 262 sulme ajrore të kryera nga aleatët, ndonjëherë duke përdorur bomba të prodhuara në SHBA, veçanërisht drejt fundit të konfliktit. Rreth 20,000 njerëz u vranë në sulmet me bombardime.
Natën e 30 majit 1942, qyteti ishte shënjestra e "sulmit të parë me një mijë bombardues" të aleatëve në një qytet gjerman. Më shumë se 1,000 avionë u dërguan, duke fluturuar në një formacion të ngushtë "rrjedhë bombarduesish", dendësia e të cilit kishte efektin e mbingarkesës së radarëve dhe mbrojtjes gjermane. Vetëm këtë natë, 868 bombardues sulmuan qytetin me 1,455 ton bomba në atë që njihej si Operacioni Mijëvjeçar. Versus.al







