
Disa persona të dënuar për vepra të ndryshme penale si vrasje. Trafik drogë, gjobëvënie, dhunë dhe kërcënime, morën pjesë në protestën në mbështetje të partisë së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe partisë së tij. Shpesh herë këta persona, kanë sulmuar fizikisht studentët që protestonin kundër Vuçiç.
Në këtë konkluzion arriti portali investigativ serb, KRIK. Sipas të dhënave që media ka mbledhur, shumë nga këta persona janë parë në kampin e quajtur “Cacilend”, ngritur përpara Presidencës në Beograd, që është shndërruar në qendër të mbështetësve të presidentit serb.
Në krye të listës që zbulon KRIK është Vladimir Vuçetiç, një nga të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
KRIK tregon se Vuçetiç është parë më 28 qershor 2025 në kampin “Cacilend”, në ditën e protestës studentore të Vidovdanit. Ndaj tij ekziston urdhër arresti ndërkombëtar për terrorizëm lëshuar përmes Interpolit, por ai lëviz lirisht në Beograd nën mbrojtjen e pushtetit.
Në të njëjtin kamp është parë edhe Petar Paniq, i njohur si “Pana”, një emër i vjetër i botës së krimit, Dijana Hrkaloviç, ish-sekretare shtetërore në Ministrinë e Brendshme, krimineli boshnjak Darko Elez, apo Djorgje Preliçin, ish-lideri i grupit huligan “Alkatraz”, i dënuar për vrasjen brutale të tifozit francez Brice Taton në vitin 2009.
Ai është parë në “Cacilend” në gusht 2025, ku deklaroi se ndodhej “për arsye patriotike” dhe se “nuk do të lejonte që Vuçiç të bie në duart e tradhtarëve”.
Protestat kundër Aleksandër Vuçiç vijojnë pa ndalim që prej nëntorit të 2024 ku mbetën të vrarë 16 persona në tragjedinë e Novi Sad për shkak të rrëzimit të strehës së betonit. Protestuesit kërkuan nga autoritetet të nxirrnin para drejtësisë personat përgjegjës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Serbi.
