BOTA /

‘Zbutet’ Trump, shtyn sërish afatin për mbylljen e ‘Tik Tok’ (ARSYEJA)

Nga ana tjetër, ByteDance, kompania mëmë e TikTok, reagoi përmes një deklarate për shtyp duke bërë të ditur se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare me ndonjë palë amerikane.

Shkruar nga Versus

‘Zbutet’ Trump, shtyn sërish afatin për mbylljen e

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një tjetër urdhër ekzekutiv që i jep një zgjatje 90-ditore afatit për ndalimin e TikTok në Shtetet e Bashkuara, duke e shtyrë për të tretën herë vendimin që mund të çojë në ndalimin përfundimtar të aplikacionit popullor.

Ky vendim vjen në një moment kyç për të ardhmen e platformës, e cila sipas një ligji të nënshkruar nga administrata Biden në vitin 2024, duhet të ndalohej në SHBA nëse kompania mëmë kineze, ByteDance, nuk e shiste atë tek një palë amerikane.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi zgjatjen, duke theksuar se presidenti nuk dëshiron që TikTok të ndalohet, por që të garantohet siguria e të dhënave të qytetarëve amerikanë.

“Siç e ka thënë disa herë, presidenti Trump nuk dëshiron që TikTok të bllokohet. Kjo zgjatje do të zgjasë 90 ditë, kohë gjatë së cilës administrata do të punojë për të siguruar mbylljen e marrëveshjes, në mënyrë që populli amerikan të mund të vazhdojë ta përdorë TikTok-un me bindjen se të dhënat e tyre janë të sigurta dhe të mbrojtura,” deklaroi Leavitt.

Nga ana tjetër, ByteDance, kompania mëmë e TikTok, reagoi përmes një deklarate për shtyp duke bërë të ditur se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare me ndonjë palë amerikane.

“Ka çështje kyçe që duhet të zgjidhen,” thuhet në reagimin zyrtar të kompanisë.

Fillimisht, ndalimi i aplikacionit ishte parashikuar të hynte në fuqi më 19 janar, por përmes një sërë urdhrash ekzekutivë, administrata e re republikane ka zgjedhur të japë më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje. Afati u shty fillimisht deri më 5 prill, më pas deri në mesin e qershorit, dhe tani është zgjatur për një periudhë tjetër 90-ditore.

Gjatë periudhës së ndërmjetme, ishte vetë TikTok që ndërpreu përkohësisht aksesin për përdoruesit amerikanë si një lëvizje parandaluese ndaj urdhrit të ndalimit. Megjithatë, me ndryshimin e administratës dhe rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, çështja e TikTok është rikthyer në vëmendje si një dosje e hapur dhe me pasoja të rëndësishme gjeopolitike e ekonomike.

Për momentin, fati i TikTok në SHBA mbetet pezull, me 90 ditë në dispozicion për arritjen e një marrëveshjeje që do të qetësonte shqetësimet për sigurinë kombëtare, duke shmangur një ndalim që do të prekte miliona përdorues amerikanë dhe interesat ekonomike të mëdha në tregun dixhital. /Versus.al/

Poll