
Në tryezën e negociatave për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë është një propozim që parashikon lëshimin e kontrollit territorial në Donbas , në këmbim të një pakete financimi prej 800 miliardë dollarësh për rindërtimin e vendit dhe garancive perëndimore të sigurisë.
Sipas gazetës Corriere della Sera, negociatat bazohen në katër dokumente që përfshijnë një kornizë paqeje, një plan rindërtimi prej 800 miliardë dollarësh, garanci sigurie perëndimore dhe një sërë hapash me parakusht lëshimin e Donetskut nga Ukraina.
Siç vëren gazeta italiane, dy të dërguarit e Donald Trump, pas bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin, u nisën për në Abu Dhabi, ku sot filluan negociatat e para të drejtpërdrejta midis rusëve dhe ukrainasve që nga viti 2022.
Në bagazhin e tyre, negociatorët mbajnë të paktën katër dokumente të ndryshme që, në teori, mund të përbëjnë marrëveshjen e paqes.
I pari është një tekst “ombrellë” për të gjithë paketën, siç shpjegon kryeministri kroat Andrej Plenkoviç për Corriere, dhe më pas vijnë tre seksione kryesore.
Më i rrezikshmi politikisht për Zelensky parashikon, në thelb, cedimin ndaj Rusisë të një pjese të Donbasit, pjesës së Donetskut që mbetet ende e lirë dhe të cilën Putini e pretendon.
Plenkoviç sqaron, megjithatë, se “është e rëndësishme që territori të mos cedohet de jure”, në mënyrë që “të mbetet hapësirë dhe kohë për të rishqyrtuar atë që është e negociueshme”, domethënë, një dritare kthimi kur Putini të mos jetë më në pushtet.
Për Zelenskyn, ky lëshim mund të jetë fatal, vëren Corriere, pasi opinioni publik ukrainas është kundër tij.
Për më tepër, braktisja e fortifikimeve të Donetskut do të hapte rrugën për përparime të reja ruse përgjatë një fushe të gjerë drejt Dnieperit dhe prej andej drejt Odesës.
Kjo do të nënkuptonte fundin e Ukrainës së pavarur, pasi vendi do të humbiste aksesin në Detin e Zi dhe do të bëhej i varur nga pëlqimi rus për eksportet e tij. Shtetet e Bashkuara po ofrojnë dy kompromise për ta bindur atë të marrë këtë rrezik të madh.
Një dokument detajon një plan financimi publik dhe privat prej 800 miliardë dollarësh për të rindërtuar dhe rinisur Ukrainën, të udhëhequr nga shefi i BlackRock, Larry Fink. Një dokument i dytë parashikon ofrimin e garancive amerikane të sigurisë për Kievin, me mbështetjen evropiane, i cili mund të vendosë forca në terren.
Sipas marrëveshjes, Volodymyr Zelensky do të kërkohet të heqë dorë nga kontrolli territorial në këmbim të financimit dhe garancive perëndimore të mbrojtjes.
Siç tha dje i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, “Jam optimist, ka mbetur vetëm një çështje e hapur (Donetsku), por kemi diskutuar shumë versione, që do të thotë se është e zgjidhshme. Zelensky është i disponueshëm.”
Megjithatë, marrëveshjet nuk janë finalizuar ende.
Presidenti finlandez Alex Stubb tha se ekziston edhe një dokument mbi "rendin e hapave": Ukraina do të duhet të dorëzojë së pari Donetskun; megjithatë, plani i rindërtimit prej 800 miliardë dollarësh mbetet vetëm në letër për momentin, pasi fondet nuk janë siguruar.
Në të njëjtën kohë, mbetet e paqartë nëse Vladimir Putin do të pranojë garanci sigurie që do të përfshinin praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë./Versus.al

