Takimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me Papa Françeskun, mëngjesin e sotëm në Vatikan, zgjati 35 minuta.
Biseda e tyre private u zhvillua në dhomën e bibliotekës së Vatikanit dhe, siç u bë e ditur, Papa i dhuroi presidentit ukrainas një lule reliev prej bronzi, vepër e quajtur "paqja është një lule e brishtë".
Zelensky, nga ana e tij, i dhuroi Papës argjentinase një pikturë vaji me temën e masakrës së Butës.
Siç e bëri me dije vetë Zelensky në një postim në tuiter, në fokus të takimit ka qenë mundësia që ukrainasit e kapur nga Rusia të mund të rikthehen në atdheun e tyre.
“Të mund të kthejmë në shtëpitë e tyre bashkatdhetarët tanë që janë në robëri, ishte tema qendrore e takimit tim me Papa Françeskun. Ne mbështetemi në ndihmën e Selisë së Shenjtë për të rikthyer ukrainasit e kapur nga Rusia”, shkroi Zelensky.
“Dje u bë e ditur se vdiq gazetarja ukrainase Victoria Rosina, e burgosur në Rusi. Për shumë gazetarë që e njohën, kjo është një goditje e madhe. Shumë gazetarë të tjerë, figura publike, krerët e komuniteteve lokale në rajonet e pushtuara - si dhe njerëz të zakonshëm që u arrestuan gjatë pushtimit rus - mbeten të burgosur të rusëve", vuri në dukje Zelensky./Versus.al








